Foto: KALLXO.com

Omer Muhameti, i akuzuar për tentim vrasje ndaj ish-vjehrrit, paraqitet në Gjykatën e Apelit

Në Gjykatën e Apelit më 06.11.2024 është mbajtur seanca për shqyrtimin e ankesave në rastin ndaj Omer Muhametit , i cili po akuzohet për veprën penale vrasje në tentativë ndaj ish-vjehrrit të tij.

Aktakuza ndaj Omer Muhametit ishte ngritur pak ditë pasi KALLXO.com publikoi hulumtimin që fliste për plagosjen në Dragash.

Omer Muhameti u shpall fajtor nga Gjykata e Prizrenit më 30.07.2024, dhe u dënua me 3 vjet e 6 muaj burgim për ngjarjen që u regjistrua më 26.04.2024.

Kundër vendimit të Themelores janë dorëzuar ankesa nga Prokuroria e Prizrenit, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Naim Kurtishi, dhe nga avokati i të akuzuarit, Xheladin Osmani.

Në seancën e sotme i dëmtuari Kadri Qusaj nuk ishte prezent, as përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Naim Kurtishi.

As nga Prokuroria e Apelit askush nuk ishte prezent mirëpo gjyqtarja referuese Valbona Musliu Selimaj bëri të ditur se propozimi i Prokurorisë së Apelit është të aprovohet ankesa e Prokurorisë dhe ndaj të akuzuarit të shqiptohet një dënim më i rëndë apo më i ashpër me burgim.

Po ashtu, Prokuroria e Apelit ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të të pandehurit të refuzohet si e pabazuar ndërsa të aprovohet pjesërisht ankesa e përfaqësuesit të palës së dëmtuar lidhur me veprën penale – vrasje në tentativë.

Ndërsa mbrojtësi i  të akuzuarit, avokati Xheladin Osmani, bëri të ditur se qëndron pranë ankesës së paraqitur në Gjykatën e Apelit.

Kjo çështje po trajtohet nga kolegji në përbërje të gjyqtarëve Hashim Çollaku (kryetar i trupit gjykues),  Valbona Musliu Selimaj (gjyqtare referuese) dhe anëtari tjetër i kolegjit, Kreshnik Radoniqi.

Aktakuza ndaj Omer Muhametit ishte ngritur pak ditë pasi KALLXO.com publikoi hulumtimin që fliste për plagosjen në Dragash.

Hulumtimi i KALLXO.com flet për neglizhencën e Policisë për të ndaluar një person, konkretisht Omer Muhametin, i cili para se të hynte në një seancë për besimin e fëmijës me ish-bashkëshorten e tij H.Q., ai e kishte kërcënuar këtë të fundit me fjalët: “Ke me hi nën tokë, kam me ta q* familjen, ke me pa kush jam unë e kush je ti”.

Këto fjalë dëgjohen duke i thënë Omer Muhameti sipas një video-incizimi të cilin e kishte siguruar KALLXO.com.

Kujtojmë që Prokuroria kishte ngritur aktakuzë më 21.05.2024 ndaj të pandehurit Omer Muhameti për shkak se më 26.04.2024, rreth orës 11:00, para Gjykatës në Dragash, tenton të privojë nga jeta të dëmtuarin Kadri Qusaj.

E kjo pretendohet se kishte ndodhur pas një mosmarrëveshjeje paraprake në Gjykatë që kishte vajza e të dëmtuarit H.Q. me të pandehurin Omer Muhameti lidhur me besimin e kujdestarisë për fëmijën e tyre.

Aktakuza bën të ditur se i akuzuari e kërcënoi të dëmtuarin Kadri Qusaj – babanë e ish-bashkëshortes së tij, në seancë gjyqësore me fjalët: “Si të dalësh jashtë nga gjykata unë kam me të vra me të gjallë e të vdekur dhe ty plumbin kam me ta lënë në ballë”.

Ndërsa, pas ndërprerjes së seancës gjyqësore nga kërcënimet e vazhdueshme që i ka bërë palëve para Gjykatës, i akuzuari shkon e merr pistoletën të cilën e kishte në automjet, dhe posa e sheh të dëmtuarin Kadri Qusaj, i gjendur në automjetin e tij, në afërsi te parkingut të Gjykatës del prej automjetit dhe ka shtënë tri herë drejt të dëmtuarit.

Si pasojë e të shtënave, të dëmtuarit i ka shkaktuar dëmtime të rënda trupore – plagë hyrëse dhe dalëse.

E me këto veprime pretendohet se e ka kryer veprën penale – vrasja në tentativë.

Po ashtu ai akuzohet edhe për veprën penale – armëmbajtje pa leje.

 

www.kallxo.com