Oliver Varhelyi: BE e gatshme ta konfirmoj bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, pas Samitit të Ballkanit Perëndimor me liderët e rajonit, tha se BE është e gatshme ta konfirmoj bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor duke investuar.

“Pothuajse 30 miliard euro investime do të vijnë në rajon në formë investimesh, por ky plan nuk ka për të funksionuar nëse vetë rajoni nuk funksionon si i tërë. Ky plan ekonomik dhe plan investimesh do t’i jap rezultatet e veta nëse vetë ky rajon punon për këtë treg rajonal dhe ky është edhe mjedisi ku do të funksionoj ky plan rajonal”, tha Varhelyi.

Ky investim, sipas Varhelyi është pjesë e marrëveshjeve në BE.

“Lajmi që e solla për ju është se kemi një marrëveshje në BE për financimin e këtij plani. Javën e kaluar e kemi arritur këtë marrëveshje me Këshillin dhe Parlamentin Evropian për programin IPA 3. Jemi më se të gatshëm ta fillojmë këtë plan të rëndësishëm e duam edhe nga partnerët e Ballkanit Perëndimor të punojnë në këtë plan”, tha ai.

Ai shtoi se në korrik do të mbahet samiti i ardhshëm.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se të gjitha vendet i kanë paraqitur BE dhe Komisionit Evropian kërkesën që karta e gjelbër digjitale e vendeve të rajonit të njihet në Bashkimin Evropian në mënyrë që qytetarët të lëvizin të lirë.

“Sot, të gjitha vendet i kanë paraqitur Komisionit Evropian dhe BE, kërkesën që karta e gjelbër digjitale e qytetarit të një vendi të rajonit tonë në aspektin e sigurisë shëndetësore të njihet në gjithë hapësirën e BE dhe edhe ne të lëvizim lirisht sic lëvizin qytetarët e BE”, tha Rama.

Rama ka përmendur edhe Mini Shengenin i cili sipas tij është një projekt strategjik me përfitime të jashtëzakonshme ekonomike, sociale dhe politike për të gjithë rajonin.

Rama tha se takimi i 5 korrikut të jetë i fundit që bëhet në formatin e deritanishëm dhe i vitit të ardhshëm të bëhet nën kujdesin e Komisionit me praninë e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE. Kjo sipas Ramës është ambicie dhe dëshirë që me komisionerin e ndanë plotësisht.