Olga Lisnycha i bashkohet grupit të gazetarëve ukrainas të strehuar në Kosovë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka njoftuar se Olga Lisnycha i bashkohet grupit të gazetarëve ukrainas të strehuar në Kosovë.

AGK njofton se mbrëmë në orët e hershme të mëngjesit, në Kosovë ka mbërritur gazetarja ukrainase, Olga Lisnycha.

“Lisnycha, do t’i bashkohet kolegëve të saj, gazetarëve ukrainas të strehuar në vend në kuadër të programit ‘Journalists in Residence – Kosovo’”- thuhet në njoftim.

Gazetarja është mirëpritur në aeroport nga Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, përfaqësues të Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës.

“Gazetarët ukrainas që nga muaji prill i këtij viti, nga ky program që është inicuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, e që financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, kanë përfituar pagë mujore, kurse të Gjuhës Shqipe dhe Angleze, kurse të integrimit, kanë realizuar vizita në qytetet e Kosovës dhe Shqipërisë”- thekson AGK-ja.

AGK-ja, falënderon partnerët vendorë e ndërkombëtarë që mundësuan programin të implementohet më me lehtësi.