OKB voton më 11 maj për zëvendësimin e Rusisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë më 11 maj për një vend që do të zëvendësojë Rusinë në organin kryesor të të drejtave të njeriut pas pezullimit të saj mbi akuzat për shkelje të tmerrshme nga ushtarët rusë në Ukrainë.
Zëdhënësja e asamblesë, Paulina Kubiak tha të enjten se Republika Çeke ishte kandidati i vetëm për vendin në Këshillin e të Drejtave të Njeriut prej 47 anëtarësh.
Vendet në këshillin me bazë në Gjenevë janë të ndara midis grupeve rajonale dhe një zëvendësim për Rusinë duhet të vijë nga një vend i Evropës Lindore.
Pasi Asambleja e Përgjithshme pezulloi Rusinë, zëvendësambasadori i saj, Genadi Kuzmin u tha anëtarëve të OKB-së se Rusia u tërhoq nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut përpara votimit.
Zëdhënësi i Këshillit, Rolando Gomez tha se duke u tërhequr, Rusia shmangu privimin e statusit të vëzhguesit në organin e të drejtave.
Që nga pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt, Rusia ka humbur vendin e saj në organe të shumta të OKB-së, duke përfshirë bordet ekzekutive të UN Ëomen dhe agjencinë e OKB-së për fëmijë UNICEF, Komitetin për Organizatat Joqeveritare dhe Forumin e Përhershëm për Çështjet Indigjene.
Rusia u pezullua gjithashtu këtë javë nga Organizata Botërore e Turizmit./REL