Ilustrim

OKB: Viti 2024, më i nxehti në histori

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar të hënën (11.11.2024) se viti 2024 do të jetë më i nxehti, raporton BBC, duke iu referuar punimeve në konferencën e klimës në Baku.

Liderët e botës nga rreth 200 shtete pritet të bëhen pjesë e dy takimeve të samitit që do të zgjasë për dy javë në Azerbajxhan, shtet që prodhon naftë. Konferenca njihet si COP29.

Fokusi i veçantë do t’i kushtohet mënyrës se si vendet planifikojnë të kufizojnë ngritjet afatgjata të temperaturës së botës për 1.5 shkallë Celsius – një cak i vendosur me Marrëveshjen e Parisit më 2015.

Derisa ky vit ka shënuar ngritje mesatare temperaturash për 1.5 shkallë më të lartë krahasuar me epokën para-industriale, OKB-ja thotë se caku jetik ende nuk është shkelur – duke iu referuar trendëve afatgjatë.

Por gjetjet e tjera shqetësuese përfshijnë shpejtësinë e shkrirjes së akullnajave në dete dhe rritjen më të shpejtë të niveleve të oqeaneve dhe temperaturave.

“Për disa prej nesh që i jemi përkushtuar veprimit klimatik, zgjedhjet ishin një zhgënjim i hidhur, sidomos për burimet e pashembullta që Biden dhe Harris i ndërmorën për klimën”, ka deklaruar emisari i administratës aktuale amerikane për klimën, John Podesta, duke iu referuar ndryshimeve që mund të pasojnë pas kthimit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, në janar në Shtëpinë e Bardhë.

Joe Bideni e kishte kthyer SHBA-në në Marrëveshjen e Parisit për Kimën pasi Trumpi ishte tërhequr prej saj në mandatin e parë pas zgjedhjeve të vitit 2016.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com