Flamuj të Ukrainës, Foto: Presidenca e Ukrainës, ueb-faqja zyrtare

OKB: Termocentrali bërthamor i Ukrainës "jashtë kontrollit"

Shefi bërthamor i OKB-së paralajmëroi të martën se termocentrali bërthamor në Zaporizhzhya i Ukrainës – më i madhi në Evropë – “është plotësisht jashtë kontrollit”.

Rafael Grossi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), bëri një lutje urgjente për Rusinë dhe Ukrainën që t’i lejojnë ekspertët ta vizitojnë kompleksin e gjerë për të ndihmuar në stabilizimin e gjërave dhe për ta shmangur një aksident bërthamor sa më shpejt të jetë e mundur.

Grossi tha në një intervistë se situata në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhya po bëhet çdo ditë e më e rrezikshme.

Fabrika e Zaporizhzhya, e vendosur në qytetin juglindor të Enerhodar, u mor nën kontrollë të trupave ruse në muajin mars, menjëherë pas pushtimit të tyre në Ukrainë.

Grossi përmendi shumë shkelje të sigurisë së kësaj fabrike. Integriteti i saj fizik nuk është respektuar, tha ai, duke përmendur granatimet në fillim të luftës dhe pretendimet e vazhdueshme nga Ukraina dhe Rusia për sulmin e palës tjetër në Zaporizhzhya.

Problemet e zinxhirit të furnizimit për pajisjet dhe pjesët rezervë nënkuptojnë se IAEA “nuk është e sigurt se centrali po merr gjithçka që i nevojitet”, sipas Grossi.

Ai tha se organizata e tij duhet të kryejë inspektime tejet me rëndësi për të siguruar që materiali bërthamor është duke u mbrojtur.

Futja nën kontroll nga forcat ruse e termocentralit bërthamor të Zaporizhzhya e ka rikthyer frikën se më i madhi nga 15 reaktorët bërthamorë të Ukrainës mund të dëmtohej, duke shkaktuar një tjetër emergjencë, të tillë si aksidenti i Çernobilit në vitin 1986./Euronews