OKB: Talibanët janë regjimi më represiv në botë për gratë
Talibanët e kanë zbatuar regjimin më represiv në botë për gratë, thotë misioni i Kombeve të Bashkuara në Afganistan në një deklaratë për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas më 8 Mars, duke u bërë thirrje udhëheqësve të Afganistanit që t’i heqin kufizimet e rrepta që i kanë vendosur ndaj popullatës të gjinisë femërore që nga kthimi i tyre në pushtet.
Grupi radikal islamik, i cili u kthye në pushtet në Afganistanin e shkatërruar nga lufta në gusht të vitit 2021 pasi forcat e SHBA-së dhe NATO-s u tërhoqën, fillimisht kishte premtuar se do të lejonte të drejtat e grave dhe të pakicave.
Megjithatë, talebanët kanë mbajtur një qëndrim të ashpër, duke i shtypur më tej të drejtat e grave dhe duke ia kufizuar liritë, përfshirë vendosjen e një ndalimi për arsimimin e vajzave përtej klasës së gjashtë.
Gratë u detyruan të mbuloheshin, u ndaluan të kenë qasje në hapësirat publike dhe iu ndalua të punonin për OJQ-të vendase dhe të huaja, ndërkohë që udhëtimi ose puna jashtë shtëpive të tyre është kryesisht i kufizuar.
Organizata Ndërkombëtare e Punës tha më 7 mars se punësimi i grave afgane kishte rënë me 25 për qind që nga kthimi i talebanëve në pushtet.
“Afganistani nën talebanët mbetet vendi më represiv në botë në lidhje me të drejtat e grave,” ka deklaruar Roza Otunbayeva, përfaqësuese speciale e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe kreu i Misionit të OKB-së në Afganistan (UNAMA), duke shtuar se veprimet e grupit për të ngulfatur të drejtat e grave kishin qenë “metodike, të qëllimshme dhe sistematike”.
Agjencitë e ndihmës dhe grupet humanitare vlerësojnë se më shumë se gjysma e 38 milionë banorëve të Afganistanit vuajnë nga uria, ku fëmijët janë më të rrezikuar nga kequshqyerja.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Kombet e Bashkuara në Afganistan po e rinovojnë thirrjen e tyre ndaj autoriteteve de fakto të vendit për t’i ndalur dhe hequr kufizimet e ashpra mbi të drejtat themelore të grave dhe vajzave”, thunet në deklaratën e bërë nga UNAMA.
“Të drejtat e grave dhe vajzave duhet të rikthehen menjëherë në mënyrë që të ndërtohet një Afganistan gjithëpërfshirës, paqësor dhe shpresëdhënës,” thotë raporti i lartcekur, duke shtuar se efekti i trajtimit të ashpër të grave ndihet nga të gjithë afganët dhe “do të ketë jehonë përgjatë gjeneratave në të ardhmën”.
Rreth 20 gra e kanë mbajtur një protestë të rrallë në Kabul më 8 mars, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë dhe ta sigurojë mbrojtjen e afganëve, raportoi AFP./RFERL
Përgatiti: Nuhi Shala