OKB konstaton se Kosova bëri shkelje të të drejtave të njeriut në rastin e 'Gylenistëve'

Arrestimi dhe dëbimi i ‘Gylenistëve’ nga Kosova nuk i ka ikur syrit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Grupi punues i OKB-së për ndalimet arbitrare në nëntor të këtij viti ka konstatuar se shteti i Kosovës ka bërë shkelje të të drejtave të njeriut kur i ka ndaluar dhe transferuar me forcë gjashtë shtetasit turq në mars të vitit 2018.

Sipas këtij grupi punues privimi nga liria i gjashtë individëve ishte arbitrar dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut, përkatësisht të drejtën e jetës, lirisë dhe sigurisë, të drejtën e gjykimit të drejtë, të drejtën e ankimimit dhe të drejtën e lirisë së mendimit dhe shprehjes.

Të gjitha këto të drejta janë pjesë e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.

Ky grup punues i bën thirrje Qeverisë së Turqisë që t’i lirojë menjëherë të gjashtë shtetasit e saj, ndërsa kërkon nga Kosova që të kompensojë dhe dëmshpërblejë viktimat në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Grupi i OKB-së kërkon edhe që autoritetet e Turqisë dhe Kosovës të mundësojnë një hetim të plotë dhe të pavarur mbi rrethanat që lidhen me privimin arbitrar të lirisë të gjashtë shtetasve turq.

Përpos tjerash ata kërkojnë që ndaj personave përgjegjës të merren masa të nevojshme.

Shtetasit turq Kahraman Demirez, Mustafa Erdem, Hasan Hüseyin Günakan, Yusuf Karabina, Osman Karakaya dhe Cihan Özkan, ishin arrestuar në mars të vitit 2018 në Kosovë.

Pas transferimit ata ishin dënuar me burgim në Turqi.

Në lidhje me ndalimin dhe transferimin e tyre Institucioi i Avokatit të Popullit në Kosovë kishte konstatuar se gjashtë shtetasve turq u ishin shkelur të drejtat themelore.

Përpos tyre Inspektorati Policor i Kosovës kishte parashtruar kallëzim penal kundër 22 personave që dyshohet se kishin marrë pjesë në arrestimin e tyre.

Mëngjesin e 29 marsit të vitit 2018 gjashtë shtetas turq ishin ndaluar gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me AKI-në dhe brenda ditës ishin deportuar për në Republikën e Turqisë.

Ky operacion shkaktoi një reagim të gjerë në Kosovë dhe hasi në një kundërshtim të fuqishëm. Si rrjedhojë, nga detyra u liruan Ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj dhe shefi i AKI-së, Driton Gashi.

Kuvendi i Kosovës më pas themeloi një komision hetimor ku i intervistuan dhjetëra persona në mesin e tyre edhe tashmë ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, dhe ish-shefi i AKI-së, Shpend Maxhuni, e shumë persona të tjerë.

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me këtë rast ka hartuar një raport ku ka konstatuar dhjetëra shkelje.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me këtë rast, ndërsa edhe emisioni “Drejtësia në Kosovës”, i ka kushtuar një emision këtij rasti duke hedhur dritë mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë rast.