Hedhja e pakove humanitare përmes parashutave për Gazën nga aeroplanët amerikanë, Foto: CBS News
OKB kërkon 47 miliard dollarë ndihmë për krizat e shumta
Kombet e Bashkuara i kanë kërkuar të mërkurën 47 miliard dollarë për vitin 2025, për të ndihmuar rreth 190 milionë persona anembanë botës, të cilët po ikin prej konflikteve ose po vuajnë për ushqim. Derisa, sivjet shifra ka qenë përgjysmë më e ulët dhe zyrtarët druajnë se mund të ketë shkurtime fondesh prej shteteve perëndimore, përfshirë donatoren më të madhe, SHBA – ka raportuar më 04.12.2024 agjencia e lajmeve Reuters.
Derisa, OKB po përballet me atë që Shefi ri i ndihmave, Tom Fletcher, e ka përshkruar si “nivel të pashembullt të vuajtjes”, OKB shpreson se ndihma do të ketë për njerëzit në së paku 32 shtete, përfshirë ato që janë zhytur në luftë e konflikt, si Sudani, Siria, Gaza e Ukraina.
“Bota është në flakë dhe ne po e themi troç këtë.”- ka deklaruar Fletcher para gazetarëve në Gjenevë. “Duhet të rivëmë marrëdhënien tonë me ata që më së shumti në planet kanë nevojë për ndihmë.”- ka shtuar Fletcher, ish-diplomat britanik, i cili ka nisur punën si Zyrtar për Koordinim të Çështjeve Humanitare (OCHA), muajin e kaluar në OKB.
Kërkesa është e katërta më e madhja në histori të OCHA- ka thënë Fletcher- duke bërë të ditur se janë rreth 115 milionë njerëz në botë, të cilët Agjencia nuk ka qenë në gjendje t’u ofrojë ndihmat e nevojshme.
“Ne duhet të jemi absolutisht të fokusuar në shtrirjen e dorës tek ata, të cilët kanë më së shumti nevojë.”- ka thënë ai.
OKB e ka shkurtuar thirrjen në 46 miliard dollarë, prej 59 miliard më 2024- krahasuar me një vit më parë- për shkak se, donatorët nuk kanë shprehur gatishmëri për t’iu përgjigjur kërkesës. Të dhënat tregojnë se vetëm 46% e fondeve janë siguruar, që është një prej shifrave më të ulëta në histori. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë 10 miliard dollarë.
Punëtorët e ndihmës janë përballur me zgjedhje të zorshme, duke shkurtuar fondet për ndihmë ushqimore për 80% në Siri e shërbime uji në Jemenin e goditur nga kolera- ka njoftuar OCHA.
Meqë, Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, kishte shkurtuar theksueshëm fondet për OKB në mandatin e parë, zyrtarët e agjencive të ndihmës druajnë se ai mund të ndërmarrë hapa të ngjashëm edhepas kthimit në Janar, në Shtëpinë e Bardhë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com