OKB: Izraeli shkeli në Gazë Traktatin e të drejtave të fëmijëve

Një komitet i Kombeve të Bashkuara ka akuzuar të enjten (19.09.2024) Izraelin për shkelje “të rënda” të Traktatit botëror për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duke theksuar se aksionet e ushtrisë izraelite në Gazë kishin ndikim “katastrofal” te fëmijët, dhe se shkeljet hyjnë në mesin e më të rëndave në historinë e re, raporton Reuters.

Më shumë se 41 mijë persona janë vrarë në Gazë prejse Izraeli nisi fushatën e tij ushtarake në kundërpërgjigje të sulmeve matanë kufirit të kryera prej “Hamasit” më 7 tetor, ku 1.200 persona u vranë dhe 250 të tjerë u morën peng. Autoritetet palestineze të shëndetësisë kanë thënë më parë gjatë javës së 11.355 prej viktimave ishin fëmijë, bazuar në dokumentimin e vdekjeve.

“Nuk mendoj se kemi parë më parë një shkelje kaq të madhe, çfarë kemi parë në Gazë. Këto janë shkelje jashtëzakonisht të rënda që nuk i shohim shpesh”, ka deklaruar Bragi Gudbrandsson, zëvendësshef i Komitetit.

Delegacioni i Izraelit ka argumentuar në një seri seancash dëgjimore të OKB-së më parë se traktati nuk u zbatua në Gazë ose në Bregun Perëndimor, dhe ka thënë se është i përkushtuar që të respektojë të drejtën humanitare ndërkombëtare. Thotë se fushata e tij në Gazë ka për qëllim eliminimin e sunduesve të enklavës palestineze dhe se nuk sulmon civilë, porse militantët fshihen në mesin e tyre, por që “Hamasi” i mohon akuzat.

Komiteti katëranëtarësh i OKB-së monitoron veprimin në pajtim me Konventën e vitit 1989 për të Drejtat e Fëmijëve – një traktat i pranuar gjerësisht që mbron të miturit prej dhunës dhe formave tjera të abuzimit.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com