
Ilustrim
OKB: Dhuna seksuale kundër fëmijëve rritet 1000% në Haiti
Sundimi i bandave në Haiti ka rezultuar me rritje marramendëse të dhunës seksuale ndaj fëmijëve – ka paralajmëruar, më 07.02.2025, Organizata për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara – raporton BBC.
Ishulli i Karaibeve ka disa vite nën kontrollin e bandave, që popullsinë e kanë trajtuar me brutalitet të pandërprerë – ka alarmuar UNICEF.
Dhuna seksuale ndaj fëmijëve është rritur 1000% që nga viti 2023, duke i kthyer trupat e tyre “në fushëbeteja” – ka deklaruar zëdhënësi James Elder.
UNICEF vlerëson se 85% e Kryeqytetit Port-au-Prince është nën kontrollin e bandave. Më shumë se 1 milion fëmijë jetojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm të dhunës.
Elder ka treguar sesi një vajzë 16 vjeçare u largua nga shtëpia për pazar dhe më pas u rrëmbye nga persona të armatosur. Ajo u rrah, u drogua dhe u përdhunua vazhdimisht.
E mitura ishte mbajtur rreth një muaj peng – ka shtuar ai – derisa banda e la të ikte kur kuptoi se familja e saj nuk kishte para që të paguante haraçin. Rrëmbimet për zhvatje janë të zakonshme në Haiti.
Vajza tani është kthyer në strehën e OKB-së, ku trajtohen edhe dhjetëra viktima të tjera.
Kontrolli i bandave në Port-au-Prince ka rezultuar me sundim kaosi të plotë në vend të rendit e ligjit, me kolaps të shërbimeve shëndetësore dhe me krizë të sigurisë ushqimore.
Më shumë se 5.600 persona u vranë në vitin 2024, gjatë dhunës së bandave në Haiti.
Këshilli Presidencial Kalimtar i Haitit, organi i krijuar për organizimin e Zgjedhjeve dhe për rivendosjen e rendin demokratik, duket se është në kaos funksionimi.
Këshilli zëvendësoi Kryeministrin e përkohshëm në nëntor 2024, por ka shënuar pak përparim për organizimin e Zgjedhjeve, tashmë të shtyra kaherë.
Fëmijët rekrutohen gjithashtu nga bandat, ndonjëherë me forcë – ka njoftuar UNICEF.
Organizata ka mësuar se ka anëtarë të bandës së fëmijëve nën moshën 8 vjeç.
Gjërat elementare që u duhen fëmijëve nga Haiti për fëmijëri normale, edhe nëse ndodhen në shtëpi me familjet, praktikisht nuk ekzistojnë – vlerëson UNICEF. Shkollat dhe Spitalet mezi funksionojnë dhe dhjetëra-mijëra fëmijë nuk ndjekin shkollat.
UNICEF ka krijuar hapësira të lëvizshme të sigurta në Haiti, për të mbështetur fëmijët dhe të parandalojë dhunën seksuale.
Por, vitin e kaluar kur UNICEF i kërkoi 221 milionë dollarë për financimin e veprimtarisë në Haiti iu dha vetëm 1/4 e kësaj shume.
Tani ka frikë se me ngrirjen e ndihmave amerikane jashtë vendit, që prek projektet humanitare në mbarë botën, nevojat e Haitit do të neglizhohen përsëri.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com