OKB: COVID-19 ndikoi në fusha të ndryshme të jetës

Sipas OKB-së, pandemia COVID-19 ka ndikuar në familje  dhe biznese në mënyra të ndryshme. OKB thotë se ndikimet në famijle kanë qenë të shumta duke përfshirë orarin e kufizuar të punës dhe rënia e të ardhurave, barra e shtuar e kujdesit, përballja me mësimin në distancë dhe ballafaqimi me çështje shëndetësore fizike, mentale dhe emocionale që u shfaqën si pasojë e pandemisë.

“Përhapja e COVID-19 në Kosovë ka zhvendosur vëmendjen e UNDP-së dhe tërë familjes së OKB-së drejt reagimit dhe ndihmës për njerëzit dhe institucionet e Kosovës. Për të kuptuar më mirë ndikimin e menjëhershëm të krizës, është thelbësore të kuptohen nevojat e njerëzve dhe bizneseve për të përgatitur reagimin më të mirë të menjëhershëm dhe afatmesëm. Kjo është arsyeja pse UNDP inicioi këtë vlerësim të shpejtë – së bashku me UN Ëomen dhe UNFPA në koordinim të ngushtë me Koordinatoren për Zhvillim, Znj. Ulrika Richardson, zyrën e saj dhe pjesën tjetër të Ekipit të OKB-së në Kosovë – për të kuptuar ndikimet dhe që të mund të evidentojnë më mirë masat që do të ndërmerren. Gjetjet e këtij vlerësimi janë përdorur për të frymëzuar formulimin e Planit të Reagimit Socio – Ekonomik të Ekipit të OKB-së në Kosovë që do të lansohet së shpejti “, tha Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP.

Qeveritë anembanë botës kanë pasur qasje të ndryshme në luftimin e pandemisë së coronavirusit të cilat kanë sjellë rezultate të ndryshme. Përveç që shkatërrimi i ka kapluar të gjitha vendet e botës dhe ua ka ndryshuar tërë rrjedhën e tyre të veprimit, njerëzit, ndërmarrjet dhe institucionet është dashur të përshtaten me realitetin e ri të pasigurt, i cili tani po analizohet, duke qenë të vetëdijshëm se ndikimi i plotë ende nuk është kuptuar tërësisht.

“Gratë dhe vajzat mbeten të prekura në mënyrë joproporcionale nga pandemia. Kemi qenë dëshmitarë që në Kosovë si dhe në tërë botën të një pandemie në hije që rritet si rezultat i pandemisë, asaj të dhunës ndaj grave. Vlerësimi i Shpejtë i Ndikimit Socio-Ekonomik zbuloi edhe një ngarkesë të shtuar të detyrave të shtëpisë për gratë, prandaj është e domosdoshme të merren parasysh nevojat specifike, rreziqet dhe rolet e grave dhe vajzave, për t’iu përgjigjur pandemisë,” tha Vlora Tuzi-Nushi , Shefe e Zyrës së UN Ëomen.

OKB pa paraqitur gjetjet kryesore të vlerësimit:

89% e të anketuarve merrnin informata rreth COVID-19 nga radio, televizioni dhe gazeta dhe 74% nga interneti dhe rrjetet sociale.

96% të fëmijëve të familjeve të intervistuara ishin në gjendje të ndjekin mësimin në distancë rregullisht, ndërsa vetëm rreth 4% e tyre i humbën mësimet më së shpeshti për shkak që pajisjet përdoreshin nga ndonjë anëtar tjetër i familjes ose problemeve me lidhjen në internet.

28% e të të gjithë anketuarve përjetuan efekte në shëndetin e tyre psikologjik, mental ose emocional për shkak të shpërthimit të COVID-19.

Për sa i përket shërbimeve bazë sociale dhe shëndetësore, 13% deklaruan se kanë pasur vështirësi të mëdha ose mesatare në qasje në shërbime komunale, përfshirë furnizimin me rrymë dhe ujë. 19% përjetuan vështirësi të mëdha ose mesatare në qasje në shërbime sociale dhe 26% patën vështirësi në qasje në shërbime shëndetësore qoftë për veti ose për anëtarët e familjes përfshirë shërbimet për shëndetin seksual dhe riprodhues.

56% e të anketuarve mendojnë se ka rritje të dhunës në familje  ndërsa 35% nuk dinë ku të kërkojnë ndihmë nëse vet ose ndokush tjetër përjetojnë dhunë në familje.

Ngarkesa e punës pa pagesë është rritur shumë më tepër për gratë. Orët e grave të dedikuara për pastrim janë rritur me 18 pikë përqindjeje më shumë në krahasim me burrat, ndërsa për gatim dhe shërbim të vakteve me 29 pikë përqindjeje më shumë sesa burrat. Ato gjithashtu luajnë, flasin ose u lexojnë fëmijëve dhe kujdesen për fëmijët për  8% dhe 9%, përkatësisht, më shumë se burrat.

Nëse masat e ndërlidhura me coronavirusin do të vazhdonin, 59% e të anketuarve kishin frikë se do të ishte e vështirë të mbulonin shpenzimet bazë.

Rreth 40% e të anketuarve që kanë qenë të punësuar para pandemisë kanë qenë në gjendje të mbajnë vendin e tyre të punës, por në kohën e intervistimit nuk ishin duke punuar fare, ndërsa 22% kanë thënë se janë duke punuar me orar të shkurtuar punën me pagë. 22% të tjerë raportuan se kanë vazhduar me orar të njëjtë si para pandemisë. 8% raportuan se kanë humbur vendin e punës për shkak të përhapjes së COVID-19.

55% e bizneseve duhej të mbylleshin, derisa 30% punonin me kapacitet më të ulët. Vetëm 13% funksiononin si zakonisht.