Ndërtesa e OKB-së në Nju Jork.

OKB: 65 gazetarë e aktivistë të vrarë në Afganistan që nga 2018

Kombet e Bashkuara thanë se së paku 65 gazetarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut janë vrarë në Afganistan gjatë tre vjetëve të fundit.

Misioni i Ndihmës i Kombeve të Bashkuara në Afganistan tha në raportin e publikuar të hënën se shifra përfshin 32 aktivistë të të drejtave të njeriut dhe 33 njerëz që kanë punuar në media.

Raporti, i cili gjurmoi vrasjet nga janari i vitit 2018 deri në janar të këtij viti, vjen në kohën e sulmmeve të intensifikuara të luftëtarëve talibanë kundër Qeverisë dhe caqeve të tjera.

Raporti nuk i fajëson talibanët në mënyrë specifike.

Misioni i Kombeve të Bashkuara tha se sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave kanë pasur një efekt tronditës, duke bërë që shumë njerëz të vetëcensurohen ose të lënë punën e tyre.

Disa madje, thuhet në raport, janë larguar nga vendi, për të siguruar veten dhe familjet e tyre.

Në mesin e atyre që u shënjestruan viteve të fundit në Afganistan është edhe Mohammad Ilyas Dayee, gazetar i shërbimit afgan të Radios Evropa e Lirë.

Ai u vra në provincën jugore Helmand, në nëntor të vitit 2020, pas shpërthimit të një bombe të bashkangjitur në automjetin e tij./REL