OJQ-të kërkojnë nga Kuvendi pezullimin e konkursit për Komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi

Shtatë organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar që të pezullohet procesi i përzgjedhjes së Komisionerit/es të Agjencisë për Informim dhe Privatësi deri në një angazhim të ekspertëve të kontraktuar nga Ambasada e Britanisë, në mënyrë që ky proces të jetë i vlerësuar drejt në tërësi.

Përmes një letre dërguar kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani dhe deputetëve thuhet se një proces i vlerësimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve për Komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, pa praninë e ekspertëve, “do mund të komprometonte të gjithë procesin dhe të sjellë në krye të AIP persona të cilët mund të mos jenë të kualifikuar apo persona të cilët do mund të kenë lidhje politike përmes së cilave, në një të ardhme, do mund ta dëmtonin punën e së njëjtës Agjenci dhe të shkelnin të drejtat e qytetarëve”.

Një pezullim i tillë, sipas organizatave, deri në angazhimin e ekspertëve të kontraktuar nga Ambasadës Britanike, do ishte hapi më i duhur për momentin që të përzgjidhet një person i denjë për këtë pozitë.

Kjo është letra e plotë:

Letrën e plotë e gjeni më poshtë:

Për: znj. Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës

CC: Deputetët e Kuvendit të Kosovës

E nderuara znj. Osmani,

Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 23 qershor 2020 –  Ne organizatat e poshtë shënuara, besojmë që tashmë jeni në dijeni të vazhdimit të procesit të përzgjedhjes së Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, si dhe të sfidave në të cilat ka kaluar i njëjti proces. Ky proces aktualisht është duke u përsëritur për herët të tretë, pas dy dështimeve të para si pasojë e mungesës së cilësive të duhura të kandidatëve dhe si rezultat i krizave politike në vend.

Pozita e Komisionerit të Agjencisë është një ndër pozitat më të rëndësishme në vend në promovimin dhe mbrojtjen e vlerave demokratike, si dhe të zbatimit të normave kushtetuese dhe atyre ligjore në kuadër të së drejtës së informimit publik dhe të mbrojtjes së drejtave të privatësisë së qytetarëve të Republikës. Komisioneri i Agjencisë për Informim dhe Privatësi është drejtpërdrejtë i përfshirë në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, zbatimi i të cilave ligje, në mënyrë të përpiktë dhe sipas qëllimit mbi të cilin janë miratuar, luan në rol tejet të rëndësishëm në funksionimin e duhur të një shoqërie demokratike.

Tashmë është përmbyllur shpallja e konkursit të tretë për përzgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi nga Kuvendi i Kosovës, duke mos marrë në konsideratë kapacitetet dhe metodologjitë e mangëta vlerësuese me të cilat do mund të përballen anëtarët e Panelit Përzgjedhës. Ne, si organizata të shoqërisë civile, i kemi monitoruar të dy proceset e para dhe kemi vërejtur se sa i ndjeshëm dhe kompleks mund të jetë procesi i vlerësimit të kandidatëve. Si organizata të shoqërisë civile kemi vërejtur se vlerësimi i duhur i kandidatëve ka ardhur vetëm si rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë në mes të anëtarëve të Kuvendit të Kosovës dhe ekspertëve të kontraktuar nga Ambasada Britanike, të cilët kanë dhënë kontribut tejet profesional në procesin e vlerësimit. Ne shprehim shqetësimet tona se një proces i vlerësimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve për Komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, pa praninë e ekspertëve, do mund të komprometonte të gjithë procesin dhe të sjellë në krye të Agjencisë për Informim dhe Privatësi persona të cilët mund të mos jenë të kualifikuar apo persona të cilët do mund të kenë lidhje politike përmes së cilave, në një të ardhme, do mund ta dëmtonin punën e së njëjtës Agjenci dhe të shkelnin të drejtat e qytetarëve.

Andaj, ne, organizatat e poshtëshënuara, Ju bëjmë thirrje që ta pezulloni për momentin procesin e përzgjedhjes së Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, deri në një moment të afërt kur do mund të kemi një njoftim përfundimtar nga ana a Ambasadës Britanike mbi angazhimin e ekspertëve. Një pezullim i tillë, deri në angazhimin e ekspertëve të kontraktuar nga Ambasadës Britanike, do ishte hapi më i duhur për momentin në mënyrë që të sigurohemi që procesi i përzgjedhjes së Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi të jetë i bashkërenduar në mënyrë të duhur dhe që kandidatët të kenë cilësitë më të larta për të qenë të denjë dhe të përgatitur për të udhëhequr me një pozitë aq të rëndësishme.

Me respekt,

Lëvizja FOL, Flutura Kusari, Kosova Democratic Institute / Transparency International Kosova Instituti GAP  Group for Legal and Political Studies, Organizata Çohu / Preportr, KCSF  Democracy for Development (D4D)

Shpallet konkursi për Komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi