Topografi nga Mitrovica e Veriut. 09.06.15, Mitrovica. Photo: Atdhe Mulla

OJQ nga Mitrovica e Veriut kërkon nga Ministria e Shëndetësisë t'i përkthejë vendimet edhe në serbisht

Organizata joqeveritare NGO Aktiv e cila kryesisht vepron në pjesën veriore të Mitrovicës ka thënë se vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë i cili ende nuk është përkthyer në gjuhën serbe po krijon keqkuptime tek qytetarët serb që jetojnë në Kosovë.

“Në publik po qarkullon informacioni kontradiktor në lidhje me qarkullimet e lejuara dhe gjobat e përcaktuara për shkeljen e ndalimit të qarkullimit, për të cilin anëtarët e komunitetit serb nuk mund të informohen për shkak të mungesës së një përkthimi zyrtar të vendimeve në serbe”, shkruan kjo organizatë në Twitter.

Sipas tyre mos përkthimi i këtyre vendimeve ‘është një shkelje e së drejtës për përdorim zyrtar të gjuhës serbe dhe të së drejtës për barazi të qytetarëve para ligjit’.

Andaj ata kanë kërkuar që sa më shpejtë të përkthehen vendimet, në mënyrë që qytetarët serb të mos dënohen.

“Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë, sa më shpejt të jetë e mundur, një përkthim në gjuhën serbe të të gjitha vendimeve të marra nga Ministria e Shëndetësisë për mënyrën e re të qarkullimit që nga data 15 prill”, kërkohet prej saj.

Ndërsa nga Policia e Kosovës kanë kërkuar që të pezulloj zbatimin e masave deri në përkthimin e vendimeve.

“Policia e Kosovës duhet të pezullojë zbatimin e masave ndëshkuese në rast të shkeljes së rregullave të reja të qarkullimit derisa të sigurohet përkthimi i vendimeve në gjuhën serbe si gjuhë e barabartë zyrtare në Kosovë”, kanë shkruar ata në Twitter.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka pranuar që përkthimi i vendimeve ka ngecur, por ka sugjeruar të gjithë qytetarët nga pakicat që kanë paqartësi në lidhje me vendimet të drejtohen në emailin zyrtar të Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Është e vërtetë që ka ngecur përkthimi në gjuhët e komuniteteve për shkak të emergjencës shëndetësore, mirëpo në MSH dhe në kryeministri në telefonat tonë zyrtar, në emailat tonë, mund të konstatojnë të gjitha komunitete joshumicë dhe do ta marrin përgjigjën e tyre për çfarëdo informacioni që i duhet”, ka thënë dje Kurti në një konferencë për media.

Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që nga sot qytetarët mbi moshën 16-vjeçare, nga e mërkura (6:00 mëngjes), do të kenë të drejtë qarkullimi vetëm një orë e gjysmë në ditë. E koha e tyre e daljes jashtë shtëpive do të përcaktohet në bazë të numrit të parafundit personal.

Sot Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq i ka bërë thirrje qytetarëve të komunitetit serb që të respektojnë vendimet e institucioneve shëndetësore në Prishtinë.

Marko Gjuriq, thirrje serbëve t`i respektojnë vendimet e Qeverisë së Kosovës