Policia e Kosovës në ndërtesën e strukturave paralele, Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com

OJQ e aktivistë në veri kërkojmë nga KFOR-i vendosjen e postblloqeve para institucioneve që ofrojnë shërbime për popullatën shumicë në veri

Disa organizata joqeveritare, aktivistë e gazetarë kanë kërkuar nga KFOR-i vendosjen e postblloqeve, siç kanë thënë ata ‘para institucioneve që ofrojnë shërbime për popullatën serbe në veri’.

Kjo kërkesë e tyre vjen pas mbylljes së pesë objekteve të komunave ilegale në veri dje më 30.08.2024.

komunikatën për media të këtyre organizatave, gazetarëve e aktivistëve thuhet se vetëm KFOR-i mund të sigurojë paqe dhe të krijoj hapësirë për dialog politik.

“Pas veprimeve të dhunshme të djeshme të Policisë së Kosovës, e cila veproi për avancimin e agjendës politike të Partisë Lëvizja Vetëvendosje, i bëjmë thirrje KFOR-it që urgjentisht të vendosë postblloqe para institucioneve që ofrojnë shërbime për popullatën shumicë në veri. Ne besojmë se vetëm veprimet e KFOR-it mund të sigurojnë paqen dhe sigurinë në zonat serbe të veriut të Kosovës dhe të krijojnë hapësirë ​​për dialog politik nën kujdesin e Bashkimit Europian për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura në procesin e normalizimit”- thuhet në komunikatën e tyre.

Organizatat të cilat kanë përkrahur këtë komunikatë, ‘NGO Aktiv’, ‘Advocacy Center for Democratic Culture – ACDC’, ‘Center for Affirmative Social Actions – CASA’, ‘Institute for Territorial Economic Development – InTER’, Jovana Radosavljeviq, aktiviste; Milica Andriq Rakiq, aktiviste, Milica Radovanoviq, hulumtuese,  Marko Milenkoviq, aktiviste dhe Sanja Sovrliq, gazetar.

Sipas tyre “vazhdimi i sjelljes së dhunshme të institucioneve të Kosovës do të sjellë pasoja të pallogaritshme për jetën e serbëve në komunat me shumicë serbe dhe do të dëmtojë edhe më tej statusin edhe ashtu të brishtë të Kosovës multietnike”.

Policia e Kosoës tha më 30.08.2024 se janë mbyllur këto komuna paralele: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna ilegale e Mitrovicës, Komuna ilegale e Zveçanit, Komuna ilegale e Zubin Potokut dhe Komuna ilegale e Leposaviqit.

Policia ka bërë të ditur më 30.08.2024 edhe çfarë provash materiale janë konfiskuar në këto institucione ku u zhvilluan kontrollet policore.

Sipas njoftimit të Policisë, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte.

“Po ashtu Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave policore në një operacion të ndarë në objekte përcjellëse të spitalit në Mitrovicë Veri, gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar; një xhaketë ushtarake, një çantë krahu, disa fishekë me rrethatore, dy thika dhe mbështjellës/këllëf të armës së gjuetisë” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 30.08.2024.

Policia shtoi se i tërë aksioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, përderisa ka përfunduar në orët e mbrëmjes pa ndonjë incident apo rast për t’u veçuar, ndërsa procedurat e mëtejme hetimore do të vazhdojnë nga njësitet relevante policore nën autorizimin e prokurorisë kompetente.

Policia publikon pamje të aksionit për mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri