OJQ austriake: Me hidrocentrale, Kosova po përjeton atë që Evropa e ka përjetuar në shekullin e kaluar

Shqiptarë e serbë sot janë bashkuar në vendin e quajtur ‘Obe Reke’ (Dy lumenjtë), për të kundërshtuar futjen e lumit në gypa nga kompania MATKOS Group.

Protestuesit kësaj radhë, për dallim nga herët e tjera janë mbështetur fuqishëm nga organizata Riverwatch, organizatë që merret me mbrojtjen e lumenjve në Evropë.

Ulrich Eichelmann, Drejtor Ekzekutiv i Riverwatch nga Vjena ka thënë se investitorët janë duke vjedhur të ardhmen e banorëve me futjen e lumit në gypa. Ndërsa ka shtuar se Kosova po përjeton atë që Evropa e ka përjetuar në shekullin e kaluar.

“Ju duhet të luftoni për lumenjtë tuaj dhe ne mund të ju ndihmojmë,  unë dje kam parë se çfarë po ndodhë këtu dhe jam zemëruar shumë për atë se çka po ndodhë në shekullin 21 këtu te ju, investitorët po e vjedhin ujin dhe po ashtu edhe të ardhmen tuaj”, ka thënë Eichelmann.

Arif Idrizi, banor aktivist i kësaj komunë, një 59 vjeçar, i cili proteston për këtë kauzë që nga 2015-ta la bërë thirrje për këmbëngulësi të mbrojtjes së lumit.

“Jam aktivist prej 2015 dhe jam duke mbrojtur lumenjtë prej 2015 dhe kam një thirrje për juve si qytetarë që të mos keni frikë sepse do të jemi fitues sepse kemi të drejtë. Me protestat tona gjatë këtyre katër viteve ne do të jemi fitues”, ka apeluar Idrizi.

Banorët serbë e shqiptarë të fshatit Biti e Poshtme të komunës së Shtërpcës janë bërë bashkë për të mbrojtur të ardhmen e fëmijëve të tyre pasi me ndërtimin e katër minihidrocentraleve po ndryshohet rrjedha e lumit e po pakësohet uji.

Banorët kanë protestuar që nga 2015, por protestat e tyre tri here kishin eskaluar.

Policia e Kosovës në tri raste kishte përdorur dhunë dhe sprej për t’i shpërndarë protestuesit.

Shkatërrimi i lumit Lepenc nga hidrocentralet e vogla

Shtërpcë, banorët protestojnë sërish në mbrojtje të lumit

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.