Kryeprokurori Admir Shala

Ofron dorëheqjen kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit

Admir Shala, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka paraqitur dorëheqjen nga kjo pozitë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jehona Grantolli.

Ajo tha se KPK ka pranuar njoftimin për dorëheqjen e kryeprokurorit të Prizrenit.

E pyetur nëse kryeprokurori Shala do të kthehet në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës apo në Prokurorinë e Prizrenit, zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial të Kosovës tha se KPK do të vendosë për këtë çështje.

Në mbledhjet e 251-të të KPK-së është diskutuar edhe kërkesa e kryeprokurorit të Prizrenit që të kthehet në Prokurorinë Speciale si prokuror special.

Shala ka qenë prokuror në PSRK deri në ditën kur është zgjedhur kryeprokuror i Prokurorisë së Prizrenit në janar 2017.

Admir Shala ishte rizgjedhur kryeprokuror i Prizrenit dhe mandati i tij përfundon në fund të vitit 2024.