Ofrohet mbështetja e Qeverisë në Han të Elezit për dyshimet për helmim nga uji

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka vizituar sot Komunën e Hanit të Elezit për të ofruar mbështetjen e nevojshme në lidhje me dyshimet për helmimet nga uji në këtë Komunë.

Krasniqi ka theksuar gatishmërinë e qeverisë për të bashkëpunuar dhe ofruar ndihmë për Komunën e Hanit të Elezit për të siguruar ujin e pijes për qytetarët e kësaj Komune.

“Ministri Krasniqi ka theksuar se Ministria e Shëndetësisë, ka bërë furnizimin me barna nga lista esenciale në QKMF-në, në Han të Elezit, në kuadër të kërkesave për ndihmë emergjente gjithashtu është kryer furnizimi i ujit të pijshëm nga MBP-AME”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ministria.

Ministri po ashtu ka vizituar edhe fshatin Gorancë në të cilin po ashtu nga Ministria e Shëndetësisë janë dërguar 1 mjek dhe 2 infermiere me orar të punës nga 8:00 deri në 23:00 në shërbim të qytetarëve.

Gjatw datave 10 dhe 11 korrik, rreth 130 qytetar të Hanit të Elezit dyshohet se janw helmuar nga uji.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kishte kryer analizat e nevojshme nga të cilat ka rezultuar se përveç turbullirës në dy raste, mostrat e ujit rezultojnë brenda parametrave normale.

Lidhur me rastin, IKShPK ka thënë se janë marr mostra të ujit edhe për analizë bakterore.

Pas dyshimeve për helmim të qytetarëve nga uji, Ministria e Shëndetësisë ka furnizuar me barna dhe produkte medicinale QKMF-të e komunës së Hanit të Elezit dhe të Kaçanikut.