Ofrimi i dorëheqjeve të 11 doganierëve, në Jarinjë vazhdojnë kontrollet - FOTO

11 zyrtarë të Doganës së Kosovës, nëntë nga të nacionalitetit serb e dy të tjerë te nacionalitetit boshnjak kanë ofruar sot dorëheqje.

Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar në pikën e kalimit kufitar në Jarinjë ku ka parë se Dogana e Kosovës është prezente.

Një veturë zyrtare e Doganës është parë duke qëndruar pranë kësaj pike kufitare.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës për dorëheqjen e zyrtarëve të doganës, e cila u konfirmua edhe nga zëdhënësi, Adriatik Stavileci.

Siç mëson KALLXO.com dorëheqjet janë dërguar te shefi i ndërrimit në pika kufitare ku edhe janë të vendosur doganierët ndërsa të njëjtat më pas do të barten te Dogana e Kosovës.

Që nga 5 nëntori, zyrtarë serbë që kanë punuar në institucionet e Kosovës në veri të vendit, kanë ofruar dorëheqjet e tyre pas suspendimit që iu bë ndaj drejtorit rajonal të policisë në veri Nenad Gjuriq.

Ai dyshohej se kishte sabotuar dhe kishte bërë thirrje për rezistencë kur mohoi të shqiptoj fletë-qortime për qytetarët serbë që kanë të regjistruara veturat e tyre me tabela ilegale.