Foto: KALLXO.com

Oficeri i Policisë rrëfen momentin e shpërthimit ku mbeti i vrarë kolegu i tij Sami Thaqi

Një polic i Kosovës është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur në incidentin që ka ndodhur në janar të vitit të kaluar në fshatin Zhur të Prizrenit, kur këta po kryenin një bastisje në shtëpinë e tashmë të akuzuarit Iran Badalli pas një thirrjeje për dhunë në familje.

Në seancën e sotme në Gjykatën e Prizrenit ka dëshmuar oficeri i Policisë, i cili është edhe i dëmtuar, Arsim Bytyqi.

Bytyqi deklaroi se edhe pse në ditën kritike kishin komunikuar me Iran Badallin, ai nuk i kishte njoftuar që në shtëpinë e tij ishte vendosur një mjet eksploziv TNT.

Po ashtu, para trupit gjykues ai sqaroi rrjedhën e veprimeve të tij si oficer i Policisë që nga momenti i pranimit të informatës nga Qendra Operative.

Ai theksoi se ka marrë pëlqim verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake për të ushtruar një kontroll në shtëpinë dhe për shkak të rrezikshmërisë nga e ulët në të mesme ka thirrur Njësinë e Reagimit të Shpejtë.

Ndërsa, prezencën e të ndjerit Sami Thaqi në vendin e ngjarjes, edhe pse i njëjti nuk ishte në orar të punës, Bytyqi e arsyetoi me faktin se pas një komunikimi të shkurtë në Viber, i ndjeri kishte shprehur gatishmëri që të ndihmojë lidhur me rastin.

E në vendin e ngjarjes, sipas versionit të dëshmitarit Bytyqi, u pritën nga fëmijët e mitur të të akuzuarit Iran Badalli ku të njëjtit ishin ankuar se babai i rrah dhe i keqtrajton.

Dëshmitari sqaroi se përderisa po komunikonte me Njësinë që merren me dhunën në familje, ka ndodhur shpërthimi që shkaktoi vdekjen e kolegut të tij Sami Thaqi dhe lëndimin e policëve të tjerë të pranishëm në vendin e ngjarjes.

“Për disa momente s’kam mund të orientohem, por kam dëgjuar zëra për ndihmë dhe kam shkuar tek të lënduarit. Edhe vet kam pësuar lëndime por jam marrë me vendin e ngjarjes” tha ai.

Gjatë gjykimit, në cilësinë e të dëmtuarës u dëgjua edhe Leonita Shala, gruaja e Iran Badallit, e cila theksoi se ditën kritike kishte qenë te familja e saj në fshatin Brezne nga ku ishte njoftuar se djali i saj ndodhej në spital.

Prandaj, si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga eksplozivi, e njëjta theksoi do të kërkojë kompensim dëmi.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës gjykimi i sotëm u ndërpre dhe do të vazhdojë më 26 janar dhe 18 shkurt 2022.

Sipas Prokurorisë, Iran Badalli dhe Arben Gashi në fillim të muajit janar 2020 në Prizren janë furnizuar nga Valbon Çollaku me mjet eksploziv dhe të njëjtin mjet e kanë fshehur në shtëpinë e Iran Badallit.

Aktakuza thotë se pas kontrollit të shtëpisë nga Njësiti për Trafikimin me Narkotikë, mjeti ka eksploduar dhe si pasojë ka vdekur zyrtari policor Sami Thaqi, ndërsa tre zyrtarë të tjerë policorë ishin lënduar rëndë.

Në aktakuzë thuhet se edhe fëmija i të akuzuarit Iran Badalli kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Sipas aktakuzës, Badalli dhe Gashi akuzohen se kanë mbajtur edhe eksploziv “TNT” në peshë 809.1 gramë dhe një detonator mekanik në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi prej 63 centimetra.

Ndërsa i akuzuari Valbon Çollaku ishte akuzuar se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo material plasës dhe të njëjtat të akuzuarve Iran Badallait dhe Arben Gashit ua kishte shitur për 400 euro.

Mirëpo, Çollaku kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë pasi që paraprakisht i njëjti ishte shpallur edhe dëshmitar bashkëpunues për zbardhjen e ngjarjes.

Gjykata në Prizren të akuzuarit Valbon Çollaku i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1,000 euro dhe dënim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajve, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale brenda 2 vitesh.

Ndërkaq, gjykimi po vazhdon vetëm ndaj dy të akuzuarve, Iran Badallit dhe Arben Gashit, të cilët nga Prokuroria po akuzohen për dy vepra penale – shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe – mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.