Oficerë të FSK-së diplomojnë në Akademinë e Mbrojtjes së Shqipërisë

Në Akademinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë kanë diplomuar sot në Kursin Themelor të Oficerit të Shtabit, pesë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) përmes një njoftimi bëri të ditur se ky kurs përgatit oficerët për të udhëhequr dhe komanduar në shtabet e ushtrive, për të arritur efikasitet dhe për të marrë përgjegjësi në detyrat dhe obligimet ushtarake.

FSK theksoi se në kuadër të bashkëpunimit me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë është duke trajnuar dhe përgatitur kuadro ushtarake të ndërveprueshme me vendet e NATO-s dhe partnerët e saj.

Lidhur me këtë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH ka shprehur falënderim të veçantë për oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për përkushtimin dhe seriozitetin e treguar gjatë ndjekjes së këtij kursi.

Në njoftim tutje thuhet se ai vlerësoi performancën e kursantëve nga radhët e FSK-së, dhe siguroi që bashkëpunimi ndërmjet FARSH dhe FSK-së do të jetë gjithnjë e në rritje, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe njohurive.

Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë Shefi i Shtabit të FARSH-së, gjeneral brigade Arben Kingji, komandanti i Akademisë së Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bilbil Bitri, zëvendëskomandanti i Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, kolonel Emror Hajdarasi, atasheu i mbrojtjes i Republikës së Kosovës në Tiranë, nënkolonel Enver Hoti, pedagogë e oficerë të FARSH-së.