Merdare - Ilustrim

OEAK mirëpret vendimin për shfuqizimin e reciprocitetit

 

Oda Ekonomike Amerikane (OEAK) ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shfuqizuar masat e reciprocitetit me Serbinë.

Përmes një reagimi, OEAK thotë se ky është një hap i rëndësishëm në integrimin ekonomik rajonal, por edhe në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore ndërmjet shteteve të Ballkanit.

“Vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës është edhe përgjigje në thirrjet e presidentit (të SHBA-së, Donald) Trump, Sekretarit të Shtetit (Mike) Pompeo, zyrtarëve të tjerë të lartë të administratës amerikane dhe Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, si dhe dëshmi e përkushtimit të Kosovës për raporte të fuqishme strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Oda Amerikane në Kosovë rithekson se njohja reciproke, tregtia pa barriera dhe fuqizimi i lidhjeve ekonomike do ta përmirësonte perceptimin për Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit në sytë e investitorëve amerikanë dhe të tjerë të huaj”, thuhet në reagimin e OEAK-ut.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se vendimin për shfuqizimin e reciprocitetit e ka bërë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, në veçanti me SHBA-në.

Ai ka deklaruar se tani është në dorën e Serbisë që të heqë pengesat, me qëllim që Prishtina dhe Beogradi t’i kthehen dialogut.

Vendosja e reciprocitetit u kundërshtua nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Fillimisht taksa 100 për qind e vendosur në fund të vitit 2018 dhe më pas reciprociteti i vendosur ndaj Serbisë në prill të këtij viti, u panë si pengesa për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur u vendos taksa 100 për qind. Beogradi ka kërkuar heqjen e të gjitha pengesave, në këmbim të kthimit në tavolinën e bisedimeve.