Odat ekonomike të shqetësuara për mosformimin e qeverisë

Oda ekonomike e Kosovës dhe ajo Amerikane kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, ku kanë folur për sfidat e Kosovës në ekonomi.

Në këtë konferencë gjithashtu u përmend vonimi i konstituimit të qeverisë, ku u tha se mund të ndikojë negativisht në të bërit biznes në Kosovë dhe mund të bëjë dëme të riparueshme për ekonominë e vendit.

“Pavarësisht pritjeve për një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik në vitin 2019, faktorë të ndryshëm kanë ndikuar negativisht në këtë aspekt, duke përmendur krizën politike si njërin ndër faktorët kryesor i cili  ka ndikuar negativisht në konfidencën e të bërit biznes si në mesin e investitorëve të brendshëm, ashtu edhe atyre të jashtëm”, tha kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Kurse Arian Zeka, drejtor i Odës ekonomike Amerikane në Kosovë, foli për disa zhvillime pozitive ekonomike të Kosovës, ndërsa si rekomandim për qeverinë e re, tha se duhet të ketë një strategji kombëtare të zhvillimit ekonomik.

“Si zhvillim më pozitiv po përmendi renditjen e përmirësuar për pesë vende në Indeksin e Lirisë Ekonomike të publikuar nga Fondacioni Heritage i cili vlerëson zhvillimet në fushën e sundimit të ligjit, efikasitetit rregullator, madhësisë së qeverisë dhe tregut të hapur”, deklaroi Zeka.