Oda e Përmbaruesve të Kosovës: Vendimi i Ministrisë së Drejtësisë i paligjshëm

Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës ka reaguar lidhur me një vendim të Ministrisë së Drejtësisë, i cili rregullon çështjen e suspendimit të ushtrimit të funksionit të përmbaruesit deri në një vendim nga Komisioni Disiplinor.

Vendimin e Ministrisë së Drejtësisë Oda e Përmbaruesve e konsideron si vendim të paligjshëm, i ngutshëm dhe i padobishëm.

I njëjti vendim është nënshkruar nga zv/ministri  i drejtësisë Blerim Sallahu në emër të ministres.

Tutje në komunikatë thuhet se Ministria e Drejtësisë ka kompetencat e veta dhe se vendimi konkret i Ministrisë e ka shkelur ligjin.

“Oda e ka parasysh faktin se Ministria e Drejtësisë ka kompetencat e saja të caktuara, por Oda Konsideron se në vendimin konkret Ministra e Drejtësisë thjesht ka shkelur ligjin”- thuhet në Komunikatën për media.

“Ne jemi të interesuar të sqarohen të gjitha situatat, por nuk lejojmë që të stigmatizohemi e damkosemi me qëllim që dikush t’i arsyetoj dështimet e veta të përditshme në fusha të tjera ose të arrihen synimet politike me çdo kusht”- thuhet në vendimin e Odës së Përmbaruesve Privat.