Përmbarues - Foto: REL

Oda e Përmbaruesve Privat: Udhëzimi i nënshkruar nga ministrja Haxhiu e kthen Kosovën 10 vite prapa

Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës, Arben Gashi, duke komentuar udhëzimin për uljen e tarifave për përmbaruesit privatë, tha se ky vendim i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu e kthen shtetin e Kosovës 10 vite prapa.

Gashi në një bisedë për KALLXO.com tregoi për shqetësimet e odës për këtë vendim.

“Udhëzimi i nënshkruar nga ministrja e kthen Kosovën 10 vite prapa, e stimulon korrupsionin, dëmton gjithçka që është arritur qe 10 vite, i largon njerëzit që merren me këtë profesion, i dëmton njerëzit e ndershëm e të përgjegjshëm”, shtoi ajo.

Për hapat tutje që do të marrë OPPK, Gashi tha se do të vendoset në mbledhjen e bordit që pritet të mbahet sot.

“Sot e kemi edhe një mbledhje të bordit dhe do të shohim për hapat e mëtejmë, por gjithsesi krejt çka do të arrihet nga ai udhëzim i publikuar nga ministrja Albulena Haxhiu ka vetëm të këqija, ka pasoja negative, i njëjti nuk pranohet nga oda, për format e refuzimit të tij do të shohim ndërkohë”, shtoi tutje kryetari Gashi.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka nënshkruar udhëzimin administrativ me anë të të cilit ulen rreth 40% tarifat e përmbaruesve privatë.

Haxhiu ka thënë se këto tarifa kanë qenë më të lartat krahasuar me vendet e rajonit dhe se se ulja e këtyre tarifave është në shërbim të qytetarëve të Kosovës.