Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

Oda e Mjekëve reagon pas sulmit ndaj mjekut në Istog

KALLXO.com mëngjesin e sotëm ka raportuar se një burrë dhe një grua në Istog kanë rrahur gjatë ditës së djeshme, një mjek në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Istog, nën arsyetimin se i njëjti nuk i ka ofruar shërbime.

Në lidhje me këtë rast, Oda e Mjekëve të Kosovës ka reaguar duke thënë se e ka pranuar me shqetësim, indinjatë dhe zhgënjim lajmin e sulmit ndaj kolegut të tyre.

“Sulmi ndaj mjekëve është bërë pjesë e protokollit të sjelljes së shërbim-marrësve nëpër institucione shëndetësore, ndërkaq mjeku është bërë viktima e përhershme e këtyre sulmeve serike të cilat si duket nuk kanë të ndalur”, thuhet në reagim.

Në reagim thuhet se vetëm gjatë këtij viti janë shënuar dhjetëra raste të sulmeve fizike dhe verbale ndaj mjekëve, të cilët në vendin e punës pa asnjë mbrojtje dhe asnjë kujdes të veçuar, janë duke iu ekspozuar veprimeve vandale dhe të dhunshme.

“Ndërkaq, shqetësues mbetet fakti që institucionet përgjegjëse, sidomos ato menaxheriale dhe ato të ndjekjes penale, me pasivitetin e tyre janë duke amnistuar këtë fenomen që tanimë është bërë fenomen ditor. Tani e disa herë, Oda e Mjekëve të Kosovës ka përsëritur kërkesën që sulmet e tilla ndaj mjekëve që ndërlidhen me veprimtarinë profesionale të tyre, të trajtohen në kuptim të sanksionimit penal në kuadër të sulmit ndaj personit zyrtar dhe që këto raste duhet të trajtohen me prioritet”, thuhet në reagim.

Sipas Odës së Mjekëve, Prokuroria e Shtetit dhe Gjykatat duhet të vihen në veprim, sidomos në fazën e procedurës paraprake, në mënyrë që kryesve të këtyre veprave penale t’u caktohet masa e paraburgimit, duke marr parasysh probabilitetin që vepra e tillë mund të jetë e përsëritur ndaj mjekut i cili i është ekspozuar veprimit të tillë kriminal.

“Nuk ka asnjë dyshim që mjekët, si persona që janë të legjitimuar me leje të veçantë të punës për të ofruar shërbime shëndetësore, legjitimim ky i bërë nën kompetencën publike, në kuptim të dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës janë persona zyrtar dhe si të tillë duhet të gëzojnë mbrojtje juridike nga cilido cenim i integritetit personal dhe profesional, në veçanti kur kemi të bëjmë me sulmet gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe në vendin e punës”, thuhet në reagim.

Oda e Mjekësve ka thënë se përballë këtyre rasteve, Ministria e Shëndetësisë po rri e heshtur, dhe se sipas tyre, pa asnjë arsye logjike ngec në procedimin e draft Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Punëtorëve Shëndetësor.

Oda e Mjekëve ka kërkuar nga institucionet shëndetësore, autoritetet kompetente të nivelit qendror dhe atij lokal, që të trajtojnë me seriozitetin më të madh sigurinë në vendin e punës, pasi që mundësia e ekspozimit ndaj kriminalitetit të dhunshëm ndaj mjekut është e madhe.

“Oda e Mjekëve të Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet institucionale për të bashkëpunuar me akterët tjerë shtetëror në mënyrë që të ndikojë në parandalimin e viktimizimit të mjekëve në shoqëri, si dhe të krijohen kushtet bazë të sigurisë në vendin e punës për të gjithë mjekët të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagim.

KALLXO.com ka raportuar sot për sulmin ndaj mjekut në QKMF në Istog.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre qytetar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog.

Në bazë të njoftimit, dje rreth orës 15:00, në QKMF në Istog është raportuar se i dyshuari derisa kishte vizituar QKMF-në ku gruaja e tij do të kontrollohej, ka ardhur deri te një mosmarrëveshje me doktorin.

Sipas policisë, doktori nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore viktimës, pasi që i njëjti e ka përfunduar orarin e punës.

Si pasojë e mosmarrëveshjes, ka ardhur te sulmi nga dy të dyshuarit ndaj doktorit.

Tre të dyshuarit, janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit pas intervisimit janë liruar në procedurë të rregullt.

Burrë e grua dyshohet se sulmuan doktorin në Istog