OHT

Oda e Hotelerisë paralajmëron mosrespektim të masave kundër COVID-19 në rast të ashpërsimit të tyre

Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe turizmit ka paralajmëruar protesta dhe mos dëgjueshmëri ndaj institucioneve të Kosovës, në rast të ashpërsimit të masave ndaj bizneseve si shkak i COVID-19.

Sogojeva përmes një konfernce për media ka thënë se nuk do të respektojnë asnjë masë të re kundër  COVID-19.

“Sipas disa informatave kemi paralajmërime  të shtrëngimit të masave. Kemi marrë vendim që të ju kundërvihemi. Nuk do t i respektojmë apo zbatojmë çfarë do mase që lidhet me shtrëngime që lidhen me COVID-19,  ne nuk do ta respektojmë. Ne kërkojmë që mos të ketë ndryshim apo kufizim të orarit. Reagimet që do t i kemi do të jenë shumë të ashpëra, duke filluar nga protestat dhe padëgjueshmëri totale. Nuk do të lëshojmë pe, është vërtetu se hoteleria nuk kane qenë vatër e infeksionit”, tha ai.

Tutje, kryetari i Odës Hoteliere dhe Turizmit ka kërkuar nga Qeveria që të lejojë punën e sallave të dasmave nga java e parë e muajit prill.

“Kërkojmë që të gjitha sallat e dasmave veçanërisht të dasmave që prej marsit të vitit të kaluar nuk kanë punu, prej javës së parë të muajit prill të fillojnë punën, duke i respektuar rregullat sipas manualit që ne si odë ua kemi dërguar institucioneve. Mund të dalim ne vet që të mos ketë kurfar shërbimi, si kundërpërgjigje dhe të mos ofrojmë shërbime”, shtoi Sogojeva.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj dje gjatë mbledhjes së Komitetit për vlerësim dhe koordinim të situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19, ka thënë se do të rishikohen masat e kufizimit të lëvizjes nëpër komunat me rrezikshmëri të lartë të infeksionit.

“Sot e kemi edhe vlerësimin e rasteve nëpër komunat e Kosovës, do të shohim nëse në komunat qe janë në zonën e kuqe do të ketë nevojë për rishikim të masave dhe gjithashtu nëse do të ketë rrezikshmëri aq të madhe do të rishikojmë dhe nëse është nevoja do të ketë edhe kufizim të lëvizjes”, tha Zemaj.

Vetëm sot në vend janë regjistruar 564 rastë të reja me COVID-19 ndërsa shtatë të tjerë kanë mbetur të vdekur.

Pritet rishikimi i masave në komunat me rrezikshmëri të lartë me COVID-19