Oda e Hotelerisë: Jemi më të pambështeturit nga institucionet e Kosovës

Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT) ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat e reja kundër COVID-19.

Sipas tyre, hoteleria dhe gastronomia nuk kanë qenë dhe nuk janë vatër e infeksioneve. Ata janë ankuar se masat asnjëherë nuk janë lehtësuar për sektorin e hotelerisë dhe gastronomisë dhe se kufizimet kanë qenë gjithmonë prezente.

“Si çdoherë, edhe kësaj here masat e reja janë marrë pa asnjë konsultim me organizatat apo shoqatat që përfaqësojnë bizneset, e këto masa si zakonisht i kemi kuptuar vetëm përmes rrjeteve sociale apo medieve tona”, thuhet në njoftim.

OHT thotë se se janë sektori më i rrezikuar dhe më të pambështeturit nga institucionet.

“Nuk është bërë asnjë subvencionim ndaj këtyre sektorëve, edhe një ndihmë sadopak e vogël që ka qenë ajo e TVSH%-së tani veçse është ngritur prapë në 18%”, thuhet më tutje.

Ata kanë përmendur edhe shtrenjtimin e energjisë elektrike ku sipas tyre ka shkaktuar dëme të mëdha tek bizneset.

Sot kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër COVID-19 të miratuara dje nga Qeveria e Kosovës, pas rritjes së numrit të rasteve pozitive.

Do të kthehet ora policore nga ora 22:00 deri në ora 05:00 dhe shërbimet e gastronomisë do të lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:00 kurse muzika do të lejohet vetëm deri në orën 20:30.