Oda e Hotelerisë dhe Turizmit kërkon lirim të masave pas tubimeve të fundit të partive politike

Oda e Hotelerisë dhe turizmit ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media, ku kërkoi që urgjentisht të lirohen masat kundër COVID-19.

Kryetari i Odës së Hotelerisë, Hysen Sogojeva, tha se në këta sektorë kanë mbetur pa punë mbi 30 mijë punëtorë.

Ai gjithashtu tha se kjo konferencë erdhi si pasojë e tubimeve të fundit nga partitë politike.

“Deri tani rreth 30 mijë punëtorë janë të pa punë, masat e vëna nuk kanë dhënë shumë rezultat. Këtë shqetësim e kemi ngritur si shkak i tubimeve të fundit që janë parë nga partitë politike. Këto parti jo vetëm që nuk i janë përmbajtur masave por i kanë tejkaluar. Ne si odë jemi për mbrojtje të shëndetit, po të respektoheshin masat e vëna nuk do kishte nevojë për këtë kufizim orari”, tha Sogojeva.

Sogojeva ka kërkuar që kufizimet të hiqen sa më shpejt ose nuk do i njohin vendimet e qeverisë.

“Këto vendime nuk do i njohim, nuk ka logjikë që në 1000 metër katrorë me 150 persona e të mos lejohen ahengjet. Të lirohen kufizime ose do keni përballje me protesta dhe greva”, ka thënë tutje Sogojeva.

Kurse, Afrim Muqiqi, drejtor i departamentit te estradës tha se qeveritarët po i shkelin masat që vetë i kanë vënë.

“Kjo që po shohim është standard i dyfishtë, ku është logjika kur masat që vetë i keni nënshkruar po i shkelni. Kurse për deputet që thonë se janë liruar masat, atëherë edhe neve nuk na ka mbetur tjetër vetëm t’i ftojmë dasmorët që të fillojnë punën”, ka thënë Muqiqi.