(Ilustrim) - Foto: Naser Sertolli/KALLXO.com
Oda e Farmacistëve të Kosovës kërkon rregullimin e çmimeve të produkteve medicinale
Oda e Farmacistëve të Kosovës ka bërë thirrje që sa më parë të vendoset rregull në çështjen e çmimeve të produkteve medicinale. Sipas OFK-së, kjo çështje është bllokuar qe disa muaj nga Ministria e Shëndetësisë.
“Ne bëjmë thirrje që sa më parë të merren masa dhe të vendoset rregull me çështjen e çmimeve të produkteve medicinale (e bllokuar tashme sa muaj nga Ministria e Shëndetësisë) dhe të ndalet kjo goditje e madhe që i bëhet shoqërisë por edhe farmacistëve”, thuhet në njoftimin e OFK-së në Facebook.
Sipas Odës së Farmacistëve të Kosovës, më 11 gusht, në kohën e hartimit të Ligjit për COVID-19 ata kanë propozuar rregullimin e kësaj çështjeje.
“Ne po e shohim çdo ditë jo vetëm me produktet që përdoren për trajtimin e COVID por edhe me produktet tjera se çfarë problemi i madh i shkaktohet Kosovës (Farmacistëve dhe popullatës) me këtë mos-rregullim”, kanë shtuar ata.
Reagimi i OFK-së gjithashtu është dërguar edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, Qeverinë e Republikës së Kosovës si dhe në Parlamentin e Republikës së Kosovës por edhe gjatë dëgjimit publik të Ligjit për COVID.
“Ne kërkojmë që dinjiteti i farmacistëve si profesionistë shëndetësorë të ruhet me çdo kusht por për këtë gjë duhet të bëhen veprime nga qeveria dhe parlamenti. Ruajtja e dinjitetit dhe vendosja e rregullave do të thotë mirëqenie më e mirë për pacientët dhe ruajtje e shëndetit publik të popullatës”, përfundon reagimi i OFK-së.