Oda e Avokatëve ndërpret bojkotin në dy prokurori

Këshilli drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës ka marrë vendim sot që të ndërpritet bojkoti në Prokurorinë e Prishtinës, Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe në përfaqësimet e avokatëve në Policinë e Kosovës sipas kompetencës së këtyre prokurorive.

Në njoftimin e tyre në rrjetin social “Facebook” thuhet se ndërprerja e bojkotit është bërë pasi kryetari i OAK-së, Behar Ejupi, së bashku me kryesuesin e KPK-së Jetish Maloku arritën dakordimin ashtu që KPK sot ka hartuar një udhëzim të veçantë për qasjen e avokatëve në objektet e sistemit prokurorial të Kosovës, i cili udhëzim është aprovuar sot nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Udhëzimi në fjalë përcakton qasjen e avokatëve në objektet e sistemit prokurorial në nivel Republike, në atë mënyrë që nuk cenohet dinjiteti i avokatit ndërsa në anën tjetër respektohen procedurat e sigurisë së objekteve të sistemit prokurorial”, thuhet në kumtesë.

Siç bëhet e ditur, gjatë këtyre takimeve u diskutuan edhe një sërë çështjesh tjera që prekin interesin e drejtpërdrejtë të avokatëve dhe se së shpejti “do të punohet në koordinim të ngushtë me KPK për zgjidhjen e të gjitha çështjeve që janë në interes të të dy institucioneve por edhe në të mirë të sistemit të drejtësisë në përgjithësi”.