Ruairi O'Connell, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë

O'Connell: Emërimi i Naser Shalës, fyerje për taksapaguesit britanikë

Pas Ambasadorit Amerikan, Philip Kosnett, për emërimin e Naser Shalës në krye të Agjencisë për Verifikimin dhe Krasnimin e Pronave, ka reaguar edhe Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell.

Ai përmes një postimit në facebook ka thënë se Shala nuk do të duhej të emërohej në këtë pozitë.

“Pajtohem plotësisht. Ai është i pakualifikuar dhe nuk do të duhej të emërohej. Qeveria britanike ndihmoi procesin i cili tregoi se kishte kandidatë të kualifikuar, por shumica e deputetëve në Kuvend, nga shumë parti, preferuan nepotizmin dhe favoret e ndërsjella në vend të një shërbimi publik të kualifikuar dhe të pavarur”, ka shkruar O’Connell.

O’Conell ka shtuar se emërimi i Shalës në këtë pozitë është fyerje për taksapaguesit britanikë, duke treguar se kjo është arsyeje pse ai ka dhënë dorëheqje nga bordi i Agjencisë.

“Nuk është befasi që edhe Amerikës po u humb durimi”, ka përfunduar O’Connell.

Para, O’Connell, për Shalën reagoi edhe Ambasadori Amerikan, Philip Cosnett.

Ambasadori Amerikan, Philip Cosnnet ka kërkuar dorëheqjen e Naser Shalës, i cili është në krye të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Përmes një postimi në Twitter, Kosnett ka deklaruar se qëndrimi i Shalës në krye të Agjencisë, po minon besimin e qytetarëve.

“I pakualifikuari Naser Shala vazhdon të qëndrojë në krye të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, duke minuar kështu besimin e qytetarëve në seleksionet bazuar në meritë (për punësim). Hapi i ndershëm për të gjithë të pakualifikuarit e emëruar është dorëheqja”, ka shkruar Kosnett.

Ai ka shtuar se tani është koha që partitë të propozojnë zgjidhje për t’i dhënë fund korrupsionit dhe nepotizmit.

Gazeta Jeta në Kosovë, kishte raportuar se si ish-ushtari i zv.kryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj, Naser Shala është zgjedhur drejtor i Agjencisë për Krahasime dhe Verifikim të Pronës, përkundër faktit se kompania britanike BDO kishte vlerësuar se ai nuk i plotësonte kushtet (nuk është i emërueshëm) për këtë pozitë.

Pas raportimeve, kishte reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovës, Philip Kosnett, i cili në një postim në profilin e tij në Twitter, u shpreh i zhgënjyer me vendimin e 50 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.