OBSH: Vaksina për linë e majmunëve nuk është ilaç magjik
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar të mërkurën se vaksina kundër lisë së majmunëve nuk është ilaç magjik, pasi ka raportime për infektime pas imunizimit.
“Ne e kemi ditur nga fillimi se kjo vaksinë nuk është ilaç magjik, që nuk do të përmbushte të gjitha pritshmëritë që ekzistojnë”, ka thënë Rosamund Lewis, eksperte për linë e majmunëve në OBSH.
Lewis ka theksuar se ende nuk janë publikuar dëshmitë e kontrolleve rastësore, mirëpo ka thënë se raportimet sugjerojnë që vaksina nuk është 100 për qind efektive, as pas ekspozimit ndaj virusit, as si masë parandaluese.
Ajo ka thënë se personat e vaksinuar duhet të presin të paktën dy javë pas marrjes së dozës së dytë, ashtu që të vërehet efekti i plotë i vaksinës.
Më shumë se 90 për qind e rasteve me linë e majmunëve janë burra, të cilët kanë marrëdhënie seksuale me partnerë të ndryshëm.
Ajo u ka bërë thirrje këtyre burrave që të zvogëlojnë numrin e partnerëve seksualë dhe të shmangin marrëdhëniet seksuale në grup.
OBSH ka pranuar më shumë se 35.000 raportime të rasteve të infektimit me këtë virus në 92 shtete të botës.
Prej tyre, 12 persona kanë vdekur.
Ditë më parë, përhapja e lisë së majmunëve është shpallur emergjencë shëndetësore globale nga OBSH-ja.
Me çfarë simptoma përcillet sëmundja?
Lia e majmunëve zakonisht raportohet në Afrikën Qendrore dhe atë Perëndimore.
Ajo konsiderohet endemi në Republikën Demokratike të Kongos, ku është identifikuar për herë të parë në njerëz më 1970.
Simptomat fillestare përfshijnë temperaturë, kokëdhimbje, dhimbje të shpinës dhe muskujve.
Ndërkohë mund të dalin puçrra në fytyrë dhe trup.
Ato mund të shkaktojnë djegie dhe të kruara të mëdha.
Infeksioni hiqet gradualisht pas 14 apo 21 ditësh/REL/.