Foto: SHKK

OBSH tregon në cilat raste duhet të vendosen maskat mbrojtëse për COVID-19

CNN ka raportuar se zyrtarët e Organizatës Botërore Shëndetsore të hënën thanë se ata rekomandojnë që njerëzit të mos mbajnë maska për fytyrë nëse nuk janë të sëmurë me COVID-19 ose nëse nuk janë duke u kujdesur për dikë që është i sëmurë.

“Nuk ka prova specifike për të sugjeruar se bartja e maskave nga popullata masive ofron ndonjë përfitim të mundshëm. Në fakt, ka disa prova që sugjerojnë të kundërtën nëse vendoset maska gabimisht ose keqpërdoret”, tha Dr. Mike Ryan , drejtori ekzekutiv i programit të emergjencave shëndetësore të OBSH-së, në një konferencë për media të hënën në Gjenevë, Zvicër.

“Ekziston gjithashtu çështja që kemi një mungesë [të maskave dhe pajisjeve tjera mjekësore] në nivel globale,” tha Ryan. “Tani për tani njerëzit më të rrezikuar nga ky virus janë punonjësit shëndetsorë të cilët gjinden në vijën e parë të frontit dhe janë të ekspozuar ndaj virusit çdo sekondë të çdo dite. Mendimi që ata nuk kanë maska është i tmerrshëm.”, tha ai.

Doktor Maria Van Kerkhove, epidemiologe e sëmundjeve infektive me OBSH-në, gjithashtu tha në konferencën e së hënës se është e rëndësishme “t’i japim përparësi përdorimit të maskave për ata që kanë më shumë nevojë”, që do të ishin punonjës të sistemit shëndetësor.

“Në komunitet, ne nuk ju rekomandojmë përdorimin e maskave përveç nëse vetë jeni të sëmurë dhe e përdorni si masë për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme”, tha Van Kerkhove.

“Ne rekomandojmë bartjen e maskave për njerëzit që janë në shtëpi dhe që janë të sëmurë dhe për ata individë që kujdesen për ata njerëz që janë në shtëpi dhe janë të sëmurë”, tha ajo.

Në një konferencë për media javën e kaluar, zyrtarët e Organizatës Botërore Shëndetsore kanë paralajmërur se në nivel global ekziston një “mungesë e konsiderueshme” e furnizimeve mjekësore, përfshirë pajisjet mbrojtëse personale, për mjekët.

“Ne duhet të jemi të qartë,” tha Van Kerkhove javën e kaluar. “Bota po përballet me një mungesë të konsiderueshme të pajisjeve mbrojtëse personal për punëtorët tanë që gjinden në vijën e parë të frontit – duke përfshirë maskat, dorezat, veshjet dhe mburojat e fytyrës – dhe mbrojtja e punonjësve tanë shëndetësor duhet të jetë prioritet kyc për përdorimin e pajisjeve mbrojtëse personale.”

Përgatiti- Diellza Geci