Lija e majmunëve, foto shkencore Burimi: BBC

OBSh: Shpërthimet e virusit të lisë së majmunëve janë të kontrollueshme

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se lija e majmunëve mund të përmbahet në vende jashtë Afrikës ku virusi zakonisht nuk zbulohet.

Më shumë se 100 raste të virusit – që shkakton skuqje dhe ethe – janë konfirmuar në Evropë, Amerikë dhe Australi.

Ky numër pritet të rritet ende, por ekspertët thonë se rreziku i përgjithshëm për popullatën e gjerë është shumë i ulët.

Virusi është më i zakonshëm në pjesët e largëta të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore.

“Kjo është një situatë e kontrollueshme,” raportohet të ketë thënë udhëheqësja e sëmundjes në zhvillim e OBSH, Maria Van Kerkhove në një konferencë shtypi të hënën.”Ne duam të ndalojmë transmetimin nga njeriu te njeriu. Ne mund ta bëjmë këtë në vendet jo-endemike,” shtoi ajo – duke iu referuar rasteve të fundit në Evropë dhe Amerikën e Veriut.

Sipas BBC, virusi tashmë është zbuluar në 16 vende jashtë Afrikës.

Pavarësisht se është shpërthimi më i madh jashtë Afrikës në 50 vjet, lija e majmunëve nuk përhapet lehtë mes njerëzve dhe ekspertët thonë se kërcënimi nuk është i krahasueshëm me pandeminë e coronavirusit.

Van Kerkhove raportohet të ketë thënë se “Transmetimi po ndodh vërtet nga kontakti lëkurë në lëkurë, shumica e njerëzve që janë identifikuar kanë më shumë një sëmundje të lehtë”.

Sipas medias britaneze, një zyrtar tjetër i OBSh-së ka shtuar se nuk kishte asnjë provë që virusi i lisë së majmunit kishte pësuar mutacion, pas spekulimeve të mëparshme mbi shkakun e shpërthimit aktual.

Viruset në këtë grup “priren të mos ndryshojnë dhe ato priren të jenë mjaft të qëndrueshme”, ka thënë Rosamund Lewis, e cila drejton sekretariatin e lisë së OBSH-së.

Ndërkohë, një zyrtar i lartë shëndetësor i BE-së ka paralajmëruar se disa grupe njerëzish mund të jenë më të rrezikuar se të tjerët.

“Për popullatën më të gjerë, gjasat e përhapjes janë shumë të ulëta,” raportohet të ketë thënë Dr Andrea Ammon i Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

“Megjithatë, gjasat e përhapjes së mëtejshme të virusit përmes kontaktit të ngushtë, për shembull gjatë aktiviteteve seksuale mes personave me partnerë të shumtë seksualë, konsiderohet të jetë e lartë”.

Lija e majmunëve nuk është përshkruar më parë si një infeksion seksualisht i transmetueshëm, por mund të transmetohet nga kontakti i drejtpërdrejtë gjatë marrëdhënieve seksuale.

Dr. Ammon ka sugjeruar që vendet duhet të rishikojnë disponueshmërinë e vaksinës së lisë, e cila është gjithashtu efektive kundër lisë së majmunëve.

Sipas të përditshmes britaneze, Mbretëria e Bashkuar tani ka regjistruar 57 raste, gjerësa autoritetet po këshillojnë këdo që ka pasur kontakt të ngushtë me një rast të konfirmuar të izolohet për 21 ditë.

Një person konsiderohet në rrezik të lartë për t’u kapur nga infeksioni nëse ka pasur kontakt familjar ose seksual me dikë me linë e majmuni, ose ka ndryshuar shtratin e një personi të infektuar pa përdorur pajisje mbrojtëse personale (PPE).

Sipas kësaj gazete, simptomat, të cilat përfshijnë një temperaturë të lartë, dhimbje dhe një skuqje të njollave të ngritura që më vonë kthehen në flluska, janë zakonisht të lehta dhe për shumicën e njerëzve zhduken brenda dy deri në katër javë./BBC