OBSH: Sëmundjet mund të jenë edhe më vdekjeprurëse se sulmet ajrore në Gaza
Ndërkohë që konflikti Izrael-Hamas vazhdon, ka një shqetësim në rritje se si situata atje mund ta rrisë rrezikun e sëmundjeve në Gaza.
Mund të ketë më shumë vdekje në Gaza nga sëmundjet sesa nga bombat dhe raketat, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
“Përfundimisht, ne do të shohim më shumë njerëz që vdesin nga sëmundja sesa po shohim nga bombardimet nëse nuk jemi në gjendje ta rindërtojmë [së bashku] këtë sistem shëndetësor dhe t’i sigurojmë bazat e jetës: ushqim, ujë, ilaçe dhe natyrisht karburant për t’i vënë në operim spitalet”, ka thënë të mërkurën zëdhënësja e OBSH-së Margaret Harris.
Në shumicën e luftërave, shumë më tepër njerëz sëmuren dhe vdesin nga ndikimet indirekte shëndetësore të konfliktit sesa nga efektet e drejtpërdrejta të bombave, plumbave dhe armëve të tjera, thotë Dr. Barry Levy, profesor asistent në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Tufts dhe autor i librit “Nga tmerri në shpresë: Njohja dhe parandalimi i ndikimeve shëndetësore të luftës.”
Këto ndikime indirekte shkaktohen kryesisht nga shkatërrimi i infrastrukturës civile, e cila ofron ushqim, ujë, strehim dhe kujdes shëndetësor, si dhe nga zhvendosja e detyruar.
Ndikimet indirekte shëndetësore përfshijnë rastet e sëmundjeve infektive gastrointestinale si kolera, kryesisht për shkak të qasjes së reduktuar në ujë të sigurt, dhe çrregullimeve ngjitëse të frymëmarrjes si fruthi, tuberkulozi dhe COVID-19, pjesërisht për shkak të kushteve të mbipopulluara të jetesës. Reduktimi i shërbimeve shëndetësore publike, sç janë imunizimet dhe veprimet për t’i kontrolluar shpërthimet e sëmundjeve, si dhe rritja e kequshqyerjes mund të kontribuojnë gjithashtu në shfaqjen dhe ashpërsinë e sëmundjeve infektive./CNN
Përgatiti: Nuhi Shala