OBSH: Rrezik potencial që më shumë njerëz të vdesin nga sëmundjet sesa nga bombardimet në Gaza
Kanë mbetur pak më shumë se 24 orë para se të skadojë armëpushimi i zgjatur gjashtë-ditor midis Izraelit dhe Hamasit. Të martën, Hamasi liroi 12 pengje që mbaheshin në Gaza që nga 7 tetori në këmbim të 30 të burgosurve palestinezë që u liruan nga burgjet izraelite.
Mendohet se një tjetër shkëmbim do të bëhet të mërkurën, me mediat izraelite që raportojnë se zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu ka marrë një listë me emrat e pengjeve izraelitë që Hamasi synon të lirojë.
Shpresohet se armëpushimi mund të zgjatet më tej pasi shefat e spiunazhit nga Mossad i Izraelit dhe CIA e Shteteve të Bashkuara udhëtuan në Katar për diskutime rreth “fazës tjetër të një marrëveshjeje të mundshme”.
Izraeli ka thënë se armëpushimi mund të zgjatet më tej, me kusht që Hamasi të vazhdojë t’i lirojë të paktën 10 pengje izraelite në ditë dhe mediat egjiptiane po raportojnë se një marrëveshje është rënë dakord në parim.
Shkëmbimi i fundit i pengjeve në Gaza për të burgosurit palestinezë në burgjet izraelite u zhvillua të martën mbrëma. 12 pengje, duke përfshirë 10 izraelitë dhe dy shtetas tajlandezë, janë tani në Izrael. 30 palestinezët që do të lirohen nga burgjet izraelite të martën përfshijnë 15 fëmijë dhe 15 gra. Në një deklaratë të lëshuar, Shërbimi i Burgjeve të Izraelit ka thënë se 30 palestinezët u liruan nga burgu Ofer, pranë Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe nga një qendër paraburgimi në Jerusalem.
Popullsia e Gazës, veçanërisht gratë dhe fëmijët, janë në “rrezik të lartë të urisë” nëse furnizimet me ushqime humanitare nuk vazhdojnë pas armëpushimit të përkohshëm midis Izraelit dhe Hamasit, ka paralajmëruar Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (ëFP). Në një përditësim të martën, WFP ka thënë se ka shpërndarë ushqim për 121,161 njerëz në Gaza që nga fillimi i armëpushimit të premten. “Gjashtë ditë thjesht nuk janë të mjaftueshme për ta ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme,” kanë deklaruar zyrtarë nga WFP.
Ekziston rreziku që më shumë njerëz të vdesin nga sëmundjet sesa nga bombardimet në Gaza nëse sistemi shëndetësor i territorit nuk ngrihet shpejt në këmbë, ka thënë të martën zëdhënësja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Margaret Harris. “Përfundimisht do të shohim më shumë njerëz që vdesin nga sëmundjet sesa nga bombardimet nëse nuk jemi në gjendje ta ribashkojmë këtë sistem shëndetësor”, ka deklaruar Margaret Harris nga OBSH./The Guardian