Ilustrim

OBSH: Puna me orar të zgjatur ka vrarë 745 mijë persona në vitin 2016

Puna me orar të zgjatur ka çuar në 745 mijë vdekje nga infarkti dhe sëmundjet e zemrës në vitin 2016.

Kjo paraqet një rritje prej 29% që nga viti 2000, sipas vlerësimeve të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO).

Në analizën e parë globale të vdekjeve dhe problemeve shëndetësore të lidhura me numrin e madh të orëve në punë, OBSH dhe ILO vlerësojnë se, në vitin 2016, 398 mijë njerëz vdiqën nga infarkti dhe 347 mijë nga sëmundjet e zemrës, si rezultat i të punuarit të paktën 55 orë në javë.

Mes vitit 2000 dhe 2016, numri i vdekjeve nga sëmundjet e zemrës për shkak të irarit të zgjatur në punë u rrit me 42% dhe nga infarkti me 19%.

Kjo sëmundje e lidhur me punën është veçanërisht e theksuar tek burrat (72% e vdekjeve kanë prekur burrat), njerëzit që jetojnë në rajonet e Paqësorit Perëndimor dhe Azisë Jug-Lindore dhe punëtorë të moshës së mesme ose më të vjetër.

Shumica e vdekjeve të regjistruara ishin te njerëzit nga mosha 60-79 vjeç, të cilët kishin punuar për 55 orë ose më shumë në javë mes moshave 45 dhe 74 vjeç.

Studimi arrin në përfundimin se puna për 55 orë ose më shumë në javë shoqërohet me një rrezik të vlerësuar 35% më të lartë për një infarkt dhe një rrezik prej 17% më të lartë të vdekjes nga sëmundjet e zemrës, krahasuar me punën 35-40 orë në javë.

Më tej, numri i njerëzve që punojnë me orar të zgjatur po rritet, dhe aktualisht qëndron në 9% të popullsisë totale në mbarë botën. Kjo tendencë vë edhe më shumë njerëz në rrezik të aftësisë së kufizuar të lidhur me punën dhe vdekjes së hershme.

“Pandemia COVID-19 ka ndryshuar ndjeshëm mënyrën e punës së shumë njerëzve. Qeveritë, punëdhënësit dhe punëtorët duhet të punojnë së bashku për të rënë dakord mbi kufijtë për të mbrojtur shëndetin e punëtorëve”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së.

“Puna 55 orë ose më shumë në javë është një rrezik serioz për shëndetin,” shtoi Maria Neira, drejtoreshë në Departamentin e Mjedisit, Ndryshimeve Klimatike dhe Shëndetit, në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës, qeveritë, punëdhënësit dhe punëtorët mund të ndërmarrin veprimet e mëposhtme për të mbrojtur shëndetin e punëtorëve:

– qeveritë mund të prezantojnë dhe zbatojnë ligjet, rregulloret dhe politikat që ndalojnë orët shtesë të detyrueshme dhe sigurojnë kufij maksimalë në kohën e punës;

– marrëveshjet dypalëshe ose kolektive të negociatave ndërmjet punëdhënësve dhe shoqatave të punëtorëve mund të rregullojnë kohën e punës të jetë më fleksibile, ndërsa në të njëjtën kohë të bien dakord për një numër maksimal të orëve të punës;

– punonjësit mund të ndajnë orët e punës për të siguruar që numri i orëve të punës nuk rritet mbi 55 ose më shumë në javë.