Tedros Adhanom Ghebreyesus - Foto: REL/AFP

 OBSh paralajmëron mundësinë e shfaqjes së varianteve të reja COVID-19 plotësisht rezistente ndaj vaksinave  

 

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus flet gjatë një konference të përditshme për media mbi virusin COVID-19 në selinë e OBSH-së në Gjenevë. 11 mars 2020. Getty Images

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) paralajmëroi të mërkurën se gjatë pandemisë mund të shfaqen variante të reja të coronavirusit, të cilat i bëjnë të padobishme vaksinat aktuale, shkruan rrjeti televiziv amerikan CNBC.

“Ndërkohë që kjo pandemi po zvarritet, është e mundur që variantet e reja mund t’i shmangin kundërmasat tona dhe të bëhen plotësisht rezistente ndaj vaksinave aktuale ose infeksioneve të kaluara, duke kërkuar përshtatje të vaksinave”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë për media në Gjenevë.

Tedros e bëri publik këtë alarm pasi rastet e COVID-19 shënuan nivele rekorde në shumë shtete, përfshirë ShBA-në. Rritja e fundit, që vjen më shumë se 21 muaj pasi OBSh e shpalli fillimisht Covid-in një pandemi, është nxitur nga përhapja e variantit të ri dhe shumë të transmetueshëm Omicron.

Tedros përsëriti thirrjet e tij të shpeshta që shtetet të bashkëpunojnë për t’i përmirësuar furnizimet globale dhe qasjen në vaksinat COVID-19 dhe pajisje të tjera esenciale shëndetësore.

Ai gjithashtu i kritikoi liderët politikë reaksionarë nacionalistë dhe populistë të cilët kanë “minuar barazinë dhe kanë krijuar kushtet ideale për shfaqjen e varianteve të reja”.

“Dezinformimi dhe keqinformimi, shpesh i përhapur nga një numër i vogël njerëzish, kanë qenë një shpërqendrim i vazhdueshëm që minon shkencën dhe besimin në mjetet shëndetësore që shpëtojnë jetë”, tha udhëheqësi i OBSh-së.

Ai vuri në dukje se “në valët e mëdha të rasteve që shihen aktualisht në Evropë dhe në shumë vende anembanë botës, keqinformimi që ka nxitur hezitimin rreth vaksinimit tani po përkthehet në vdekjen disproporcionale të të pavaksinuarve”.

Ekspertët thonë se vaksinat kundër COVID-19, të tilla si vaksinat e Pfizer dhe BioNTech janë ende efektive në parandalimin e sëmundjes së rëndë të shkaktuar nga varianti Omicron. Ndërsa ato ende mund të parandalojnë sëmundje të rënda, ato janë shumë më pak efektive në parandalimin e infeksionit nga Omicron. Nga ana tjetër, vaksinat përforcuese rrisin ndjeshëm mbrojtjen nga sëmundja simptomatike e shkaktuar nga Omicron.

 

Nëse shfaqet një lloj virusi rezistent ndaj vaksinave, prodhuesit do të duhet t’i modifikojnë vaksinat e tyre, gjë që “mund të nënkuptojë një mungesë të re furnizimi”, paralajmëroi Tedros të mërkurën.

Është e rëndësishme që shtetet të ndërtojnë furnizimin e tyre vendor të prodhimit të vaksinave përpara se të ndodhë kjo, tha ai.

“Ky virus do të vazhdojë të evoluojë dhe të kërcënojë sistemin tonë shëndetësor nëse nuk përmirësojmë reagimin kolektiv”, tha Tedros. “Jam shumë i shqetësuar që Omicron, duke qenë më i transmetueshëm, duke qarkulluar në të njëjtën kohë me Delta, po rezulton me një cunam rastesh”.

Furnizimet e vaksinave janë duke u përmirësuar aktualisht, tha ai, ndërsa përsëriti kritikat e tij se programet përforcuese të vendeve të pasura po e bëjnë më të vështirë për vendet e varfra marrjen e ndonjë vaksine. Kjo pabarazi në rritje mund t’i zgjasë jetën edhe më kësaj pandemie.

Pavarësisht kërcënimit të vazhdueshëm të shëndetit publik dhe mundësisë së sfidave të ardhshme, Tedros tha se është “optimist” se faza akute e pandemisë mund të përfundojë në vitin 2022.