OBSH në alarm: Vala e re në Brazil është një tragjedi, paralajmërim për të gjithë botën

Organizata Botërore e Shëndetësisë ngre alarmin për gjithë botën, pasi Brazili po përballet me një tragjedi të shkaktuar nga një valë e re e pandemisë Covid-19.

“Për fat të keq, është një tragjedi që Brazili po përballet përsëri me të gjitha këto, është e vështirë. Kjo duhet të jetë vala e katërt me të cilën përballet Brazili”, tha Mike Ryan, drejtori i urgjencës i OBSH.

Ndonëse Ryan e vlerësoi sistemin shëndetësor publik të Brazilit dhe veprimin e shtetit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ai theksoi se transmetimi kombëtar duhet të kontrollohet.

“Brazili ka shumë objekte të jashtëzakonshme të shëndetit publik. Unë besoj se vendi di çfarë të bëjë dhe shumë shtete po përpiqen të zbatojnë masat më të mira. Por nuk është e lehtë pasi nuk ka një pjesë të vendit që nuk është prekur seriozisht nga pandemi”, theksoi Ryan.

Sipas tij, trendi në rritje të vdekjeve dhe infeksioneve të Covid-19 në Brazil, duhet të jetë e të shërbejë si një paralajmërim për të gjithë botën se pandemia nuk ka mbaruar dhe çdo relaksim është i rrezikshëm.