OBSH: Gjysmë milioni refugjatë ukrainas kanë çrregullime me shëndetin mendor

Rreth 500,000 refugjatë ukrainas që kanë arritur në Poloni vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, tregojnë të dhënat e ofruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Shifrat tregojnë gjithashtu se 30,000 nga ata kanë probleme të shëndetit mendor që janë konsideruar “të rënda”, ku shumë prej tyre kanë nevojë për mbështetje për shkak të traumës.

Më herët gjatë ditës së sotme, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) raportoi se numri i ukrainasve që kanë ikur jashtë vendit e kishte tejkaluar shifrën prej 3.5 milionë.

UNHCR ka deklaruar se më shumë se dy milionë refugjatë e kishin kaluar kufirin në Poloni, ndërsa të tjerët kishin udhëtuar në Hungari, Rumani, Sllovaki dhe Moldavi.

Qindra mijëra të tjerë kanë shkuar më tej në Evropën kontinentale.

Është vlerësuar se miliona të tjerë janë zhvendosur brenda Ukrainës kur kz vend nisi së pushtuari nga forcat ushtarake ruse më 24 shkurt./Sky News