OBSh dhe Qeveria gjermane i dhurojnë Kosovës pajisje mjekësore në vlerë mbi 2 milionë euro

Organizata Botërore e Shëndetësisë në bashkëpunim me Qeverinë gjermane i kanë dhënë donacion Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës pajisje mjekësore në vlerë mbi 2 milionë euro.

Pjesë e këtij donacioni janë edhe 200 ventilatorë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se me këtë donacion do të ndihmohet shumë stafi mjekësor që të kryejë punën në mënyrë sa më efikase.

“Pandemia na ka bërë familje të madhe që bashkë ta mundim këtë të keqe. Këto pajisje dhe shumë të tjera janë ndihma më e mirë e zyrës së OBSh-së dhe e miqve tanë. Ky donacion përfshinë 200 ventilatorë.​ 140 prej tyre janë për herë të parë në Kosovë, me këto pajisje e bëni punën tonë më të sigurt. Jemi falënderues për ndihmë që i keni ofruar popullit tonë. Secila pajise do të ruhet e mirëmbahet sa më shumë që të jetë e mundur”, u shpreh Krasniqi sipas njoftimit në web-faqen e QKUK-së.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, gjithashtu premtoi se do të ndihmojë Kosovën edhe me 100 ventilatorë për luftimin e pandemisë COVID-19.

“Gëzohem që pata rastin të kthehem këtu në një mjedis shumë familjar. E gjithë Evropa po përjeton një valë të dytë të virusit dhe askush nuk është i sigurt kështu vetëm të bashkuar do të arrijmë ta menaxhojmë. Qeveria e Gjermanisë është e lumtur që ka mundësi të ndihmojë Kosovën me 100 ventilatorë në luftën kundër Covid-19”, tha ai.

Donatorët i ka falenderuar edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

“Ky është donacioni i radhës i miqve të Kosovës, i partnerëve tanë, Qeverisë gjermane. Ky donacion përmban shumë pajisje në vlerë prej 2.17 milionë euro më fokus luftën kundër Covid-19”, u shpreh Zemaj.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se brenda 24 orëve në Kosovë janë regjistruar 279 raste të reja me SARS-CoV-2, ndërsa u shënuan katër vdekje si pasojë e infeksionit.

Deri më tani në Kosovë rezultojnë të infektuar me COVID-19 mbi 54 mijë qytetarë, prej të cilëve 1,392 kanë vdekur.