James O'Brien, Foto: REL

O’Brien mesazh Kosovës dhe Serbisë: Të përmbushin obligimet nga dialogu, të shmangin çfarëdo provokimi në veri

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë ka folur edhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

O’Brien tha se Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin detyrimet e tyre që dalin nga dialogu dhe sipas tij, është shumë e rëndësishme që të dyja palët të shmangin çfarëdo veprimi provokues në veri.

“Te Kosova dhe Serbia, qëndrimi ynë nuk ndryshon, ne fuqishëm mbështesim përpjekjet e emisarit Mirosllav Lajçak dhe Bashkimit Europian për dialogun. U bëjmë thirrje të dyjave, Kosovës dhe Serbisë, që të përmbushin përgjegjësitë e tyre në kuadër të dialogut. Ka pasur progres në këtë aspekt në muajt e fundit, ka pasur hapa përpara duke u marrë me disa çështje shumë praktike të përditshme sikur me targat e automjeteve”- ka deklaruar ai.

“Këta hapa tregojnë se ne jemi këtu për të ofruar për njerëzit, por këtu theksoj se është shumë e rëndësishme që të dyja vendet të shmangin çdo veprim provokues në veri. Keni vërejtur që në muajt e fundit prezenca e NATO-s është përforcuar. Jemi të kënaqur me komunikimin dhe bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, me mbështetje të misionit EULEX, që çojnë në zbatimin e ligjit në veri të Kosovës, bashkëpunimi me trupat e NATO-s ka qenë shumë i mirë së fundmi. Komunikimi dhe bashkëpunimi me Beogradin gjithashtu ka mundësuar në qetësimin e situatës”- shtoi O’Brien.

Ai tha se SHBA nuk do lejojë të përsëriten ngjarjet që ndodhën në fund të shtatorit të vitit të kaluar, duke iu referuar sulmit terrorist në Banjskë.

“Ne presim që kjo të vazhdojë, do presim edhe më shumë transparencë dhe më shumë diskutime në muajin në vijim, dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme, sidomos pas ngjarjeve në shtatorin e kaluar, ku një grup tentoi të importonte një numër të madh të armëve që do të mund të shkaktonin dhunë të madhe, nëse do të lejoheshin të çonin në fund planet e tyre, dhe kjo është diçka që të dyja palët duhet ta kuptojnë se ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë sërish”- theksoi Ndihmëssekretari i Shtetit.

Në orët e para të 24 shtatorit 2023, një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese. Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.

Gjatë kundërsulmit nga Policia e Kosovës ishin vrarë së paku 3 pjesëtarë të grupit të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, disa ishin arrestuar e shumica kishin ikur në drejtim të territorit të Serbisë.

Autoritetet e Kosovës grupin dhe veprimet e tij i kanë cilësuar si terroriste.

Që nga 24 shtatori dhe në ditët në vijim, forcat e Policisë së Kosovës kanë gjetur në Banjskë dhe në zonën përreth sasi të madhe të armatimit luftarak dhe dëshmi që grupi ishte mbështetur nga shteti serb.

Sulmin e grupit ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar shumë shtete e organizata ndërkombëtare, disa prej të cilëve e kanë cilësuar si terrorist.

Radoiçiq, i cili deklaroi publikisht se i priu grupit që organizoi sulmin terrorist në Banjskë, tashmë ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i.