Foto: Tatimi në pronë
Obligohet t’i inspektojnë të paktën 20% të pronave, Komuna e Mitrovicës së Jugut ka inspektuar më pak se 9%
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se komuna duhet t’i inspektojë/verifikojë të paktën 20% e të gjitha objekteve brenda territorit të saj. Ndërkaq Komuna e Mitrovicës së Jugut ka inspektuar më pak se 9% të objekteve.
“Komuna e Mitrovicës kishe faturuar Tatimin në Pronë nga sisitemi i Protax për 27,871 objekte dhe prona. Komuna në vitin 2023 kishte arritur të bëjë inspektimin (verifikimin) e vetëm 2,414 objekteve apo më pak se 9%”- thuhet në raport.
Sipas ZKA-së kjo ka ndodh për shkak të mungesës së stafit në departamentin e tatimit në pronë dhe mos ndërmarrjes së masave nga menaxhmenti për angazhimin e stafit shtesë për të kryer këtë proces.
Inspektimi i ulët i pronave sipas ZKA-së mund të rezultojë me informata jo të plota të pronës së tatueshme aktuale si dhe të ndikoi në vlerësim jo të saktë të të hyrave për tatimin në pronë.
“Kryetari duhet të sigurojë arritjen e verifikimit të 20% të pronave të paluajtshme në mënyrë që ndryshimet eventuale të pronave të integrohen në bazën e të dhënave për të reflektuar detyrimin e saktë tatimor”- ka rekomanduar ZKA.
Me këtë gjetje të ZKA-së është pajtuar Komuna e Mitrovicës së Jugut.
Komuna e Mitrovicës ka marrë opinion të pamodifikuar nga ZKA. Auditori jep opinion të pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.
Në raportin për vitin 2023, kjo komunë ka marrë nëntë rekomandime, prej tyre tri rekomandime të reja, katër të përsëritura, dhe dy pjesërisht të përsëritura. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili do të publikohet në qershor të vitit 2025.
Ndërsa në raportin e Auditorit për këtë komunë në vitin 2022 ishin gjithsej 11 rekomandime. Deri në fund të procesit të auditimit për vitin 2023, pesë rekomandime ishin zbatuar, dy në proces të zbatimit dhe katër nuk janë zbatuar ende.
Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2023 me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për Komunën e Mitrovicës së Jugut mund ta gjeni në këtë LINK.