Seanca e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, më 29.02.2024 Foto: Florinda Kelmendi / KALLXO.com

Objekti që shfrytëzohej si strukturë paralale në Mitrovicë të Veriut, i jepet në shfrytëzim MPB-së

Një objekt që ishte shfrytëzuar si strukturë paralele në Mitrovicë të Veriut, i është dhënë në shfrytëzim Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kështu ka votuar Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut në një seancë të jashtëzakonshme të mbajtur më 26.09.2024.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ulgjanin tha për KALLXO.com se prona i është dhënë në shfrytëzim MPB-së për 99 vjet.

“Është pronë në të cilën një objekt që ka funksionuar si strukturë paralele që e ka thirrë ‘Zyra për Kosovë, në këtë objekt ka qenë Departamenti për pensionistë dhe departamenti ku kanë qenë të vendosur zjarrfikësit, në këtë pronë kanë qenë edhe disa garazhe, ky objekt me posedim të katër parcelave i është dhënë Ministrisë së Punëve të Brendshme” – tha ai.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme është miratuar edhe buxheti për vitin 2025.

Ulgjanin tha se këto dy pika të “rendit të ditës janë aprovuar me 12 vota pro dhe dy vota kundër nga komunitetit serb”.