Objekti i Zjarrfikësve në Pejë pa energji elektrike, flasin nga Komuna dhe KEDS

Objekti i Zjarrfikësve në Pejë që nga mesnata e 7 prillit nuk ka energji elektrike, gjë që ka vështirësuar punën e punonjësve.

“Me një gjenerator jemi. Shkojmë në intervenim, lagemi, djersitemi, bëhemi ujë, kur vijmë nuk kemi çka me bo, nuk kemi nxemje as kurrgjë hiç”- tha Blerim Husaj, shef i ndërrimit.

KALLXO.com raportoi mbrëmë për këtë problem ndërsa sot Komuna e Pejës dhe KEDS kanë kthyer përgjigje për rastin.

Gazmend Muhaxheri, kryetari i Pejës, tha për KALLXO.com se ata janë të njoftuar me rastin dhe se janë duke bërë një zgjidhje të përkohshme duke kyçur objektin në një trafo tjetër.

“Ne si Komunë kemi qenë në dijeni për rastin në fjalë dhe pasi është vizituar dhe shqyrtuar problemi, ne kemi bërë një zgjidhje të përkohshme. Gjatë gjithë kohës kemi qenë në dijeni për këtë punë dhe vazhdimisht kemi qenë aty, por arsyeja e mungesës së energjisë elektrike ka qenë se aty duhet të ndërtohet një trafo komplet e re. Zgjidhja e përkohshme është me vendosjen e disa shtyllave, dhe kyçjen në një trafo tjetër elektrike derisa të ndërtohet trafo e re për objektin e zjarrfikësve”- tha kryetari i Pejës.

Nga KEDS-i thanë se objekti i Zjarrfikësve në Pejë ka qenë i lidhur në një trafo e cila është pronë private e një biznesi, i cili ua ka shkëputur furnizimin me energji elektrike.

Për këtë KEDS thotë se nuk është faji i tyre dhe as përgjegjësi për vendosjen e një trafo të re.

“Deri më tash, zjarrfikësit e Pejës kanë qenë të lidhur në një trafo, e cila ishte pronë private e një biznesi në Pejë. Ky biznes i ka shkëputur zjarrfikësit para disa javëve nga kjo linjë. KEDS ua kishte dhënë pëlqimin zjarrfikësve të Pejës para tri viteve për vendosjen e një trafoje. Vendosja e trafos nuk është përgjegjësi e KEDS-it”- kanë thënë nga KEDS për KALLXO.com.

KEDS ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Komunën e Pejës dhe Zjarrfikësit janë pajtuar që të bëjnë një zgjidhje të përkohshme.

“Sipas marrëveshjes, zjarrfikësit do të jenë të lidhur në këtë trafo deri në shtator, kur edhe pritet që komuna e Pejës t’ua bëjë një zgjidhje atyre”- thotë KEDS.

Por objekti i Zjarrfikësve në Pejë edhe sot nuk ka pasur furnizim me energji elektrike. Këtë e ka konfirmuar Blerim Husaj, shef i ndërrimit.

Objekti i Zjarrfikësve në Pejë që nga mesnata e 7 prillit pa energji elektrike