Obiliqi vendos për kompensimin e orëve, kundërshtohet nga SBAShK

Pasi që Ministria e Arsimit ditë më parë kishte vendosur që formën e kompensimit të orëve të humbura të grevës t’ia lë në duar DKA-ve, Komuna e Obiliqit ka marrë vendim që ato të kompensohen të shtunave dhe po ashtu në ditët e fesatve zyrtare. E këtë vendim e ka kundërshtuar fuqishëm SBAShK-u.

Drejtori i Arsimit në Obiliq, Agim Spahiu tha për KALLXO.com se këtë vendim e kanë marrë pasi që MAShT e ka kërkuar një gjë të tillë nga ta.

“Këtë vendim nuk e kam kërkuar unë e as SBAShK-u po ministria, edhe SBAShKu a wshtw ministri a wshtw SBASHK, a e përcaktojnë këta kalendarin a? Kalendarin e vendos ministria, ai është organ që ka kërku me u zbatu udhëzimi administrativ për formën e kompensimit të orëve”, tha Spahiu.

Ai shtoi se SBAShK-u nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këtë proces.

“Këtu ka të drejtë vec ministria, kjo është forma që e kanë vendos drejtorët e shkollave sepse e kanë autoritetin nga ministria me e përcaktuar dinamikën se si mi kompensuar orët”, tha tutje drejtori i Arsimit.

Ndërsa SBAShK përmes një reagimi ka thënë se e kundërshtojnë fuqishëm vendimin e Spahiut për formën e kompensimit të orëve.

“Nga më të zëshmit  në kritikat  e pabazuara e  të paargumentuara ndaj SBASHK-ut ka nisur të dalë drejtori i  DKA-së në Kastriot ( Obiliq) Agim Spahiu. Ai madje ka bërë edhe një “ zbulim” lidhur me grevën  duke u deklaruar publikisht se gjoja ajo paska qenë jo ligjore  ngase SBASHK nuk e ka pyetur atë se kur të nis me grevën dhe për këtë ky Agimi  kudo ndodhet po krekoset se do të ngrit kallëzim penal ndaj kryetarit të  SBASHK lidhur me grevën”, tha SBAShK.

Sipas reagimit të tyre, kontrata Kolektive e Arsimit e saktëson se punëtorët e arsimit kanë javë 5 ditëshe të punës dhe 20 orë mësimore në javë.

“Çdo ngarkesë mbi këtë mund të bëhet me pajtimin  mes dy palëve.  Të  kërkohet të punohet të shtunave,  pa pajtimin e punëtorëve të arsimit është shkelje e Kontratës Kolektive, e Kontratës individuale të punës dhe e Ligjit. Të mos respektohen festat dhe të kërkohet të punohet kur janë ato është shkelje edhe më e rëndë.  Drejtorë kujdes  se këto janë shkelje shumë  të rënda”, thotë SBAShK.

Ata kanë ftuar edhe inspektoratin e punës që të përcjell “shkeljet që janë paralajmëruar për punë përmes njoftimeve publike te vendosura nëpër shkolla se ditët e festave do te punohet dhe të marrin masa ndëshkuese konform ligjit ndaj atyre që nuk i respektojnë ditët e Festave”.

Formula e kompensimit të orëve në Obiliq

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka vendosur me 15 prill që zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës tri javëshe të mësimdhënësve t’ia lë në duar Drejtorive Komunale të Arsimit.

E për  këtë Këshilli i Prindërve është shprehur skeptik për aftësinë e DKA-ve për kompensimin e tyre.

Që nga koha kur greva e mësimdhënësve -e iniciuar nga kërkesa për rritje pagash- u ndërpre, Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Ministria e Arsimit nuk po mund të i përafrojnë qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje.

Greva tre javëshe e mësimdhënësve ishte mbajtur gjatë janarit në shenjë pakënaqësie me koeficientin e pagës në Ligjin për Paga.

“Hallakama” për kompensimin e orëve të mësimit