Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Obiliq, djali dënohet pasi e dogji shtëpinë e babait

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me një vjet burgim me kusht të pandehurin M.K., i cili dogji shtëpinë e babait të tij.

Në aktgjykimin e Gjykatës është thënë se i pandehuri më datën 10 prill 2021, rreth orës 13:40, kishte kryer veprën penale pas një mosmarrëveshje të më hershme që kishte pasur me prindin e tij.

Sipas aktgjykimit, pas këtij konflikti verbal, i pandehuri në shenjë revolte dhe pakënaqësie, me ndihmën e një cigareje të ndezur me qëllim ka shkaktuar zjarrvënie.

“Deri sa i njëjti kishte qenë duke qëndruar në terasën e shtëpisë, në shenjë revolte dhe pakënaqësie lidhur me konfliktin verbal që kishte pasur me babain e tij, ka vepruar në atë mënyrë ashtu që me ndihmën e një cigare të ndezur me qëllim të zjarrëvënies, ka shkaktuar zjarr në shtëpinë e përbashkët”, thuhet në aktgjykim.

Gjithmonë duke iu referuar aktgjykimit, djegia e shtëpisë dhe e të gjitha orendive shtëpiake, i ka shkaktuar të dëmtuarve, prindërve të të pandehurit, dëm të konsiderueshëm material në vlerë rreth 2 mijë deri në 4 mijë euro.

Tutje tregohet se shtëpia ka qenë e ndërtuar pas lufte nga babai i tij dhe si pasojë e temperaturës së lartë është dëmtuar e tëra.

Në aktgjykim tregohet se në seancën fillestare të mbajtur për rastin, më 18 qershor 2021, i pandehuri kishte pranuar fajësinë.

Kjo, sipas aktgjykimit, ishte cilësuar nga ana e Gjykatës si rrethanë lehtësuese dhe është një nga arsyet se pse M.K. u dënua me minimumin e dënimit, 1 vjet nga maksimumi i dënimit që është për këtë vepër penale, 5 vjet.

Në bazë të aktgjykimit, të pandehurit nuk do t’i ekzekutohet dënimi nëse ai në periudhën verifikuese në afat prej dy viteve, nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

“Të pandehurit i llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim nga data 19 prill 2021 deri me datë 18 maj 2021. Po ashtu, ai detyrohet që t’i paguajë shpenzimet e procedurës, dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 20 euro, në afat prej 15 ditësh”, thuhet tutje në aktgjykim.

Përpos kësaj, sipas aktgjykimit, i pandehuri detyrohet që konform Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit të paguajë shumën prej 30 euro, në afat prej 15 ditësh.