Foto: Donald J. Trump / Facebook

NYT: Trumpi po e kërcënon Europën me tarifa, por a është gati Europa?

Kërcënimet e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, ndaj aleatëve dhe armiqve kanë vënë në siklet kompanitë dhe qeveritë në mbarë Europën, duke vënë në mëdyshje ndaj asaj që druajnë se mund të kthehet në një luftë tregtare transatlantike, shkruan gazeta “The New York Times” në një analizë.

Planet që kanë nisur të hartohen, përfshirë një përpjekje të mbikëqyrur nga afër në nivelet më të larta të Komisionit Europian, duket të jenë më proaktive sesa kur Trumpi ishte në krye të presidencën në mandatin e parë. Por çdo rrekje për të formuar një front të përbashkët për tregtinë do të mund të dëmtohej prej politikës sklerotike në shumicën e Europës.

Motorët e Europës pa qeveri

Qeveritë gjermane dhe franceze kanë rënë këtë muaj. Austria dhe Belgjika po kanë telashe që të formojnë koalicione qeverisëse edhe shumë kohë pas mbajtjes së zgjedhjeve të fundit.

Dhe ende nuk është arritur kurrfarë konsensusi për t’u kundërpërgjigjur ndaj çfarëdo që mund të ketë ndërmend Trumpi. Ndasitë tashmë po shfaqen ndërmjet zyrtarëve që favorizojnë një strategji të hakmarrjes nëse ai mundohet të vendosë taksa të reja ndaj eksporteve europiane dhe atyre që favorizojnë negociatat.

Në një postim në mëngjesin e hershëm të së premtes në Truth Social, Trumpi than se i kishte thënë “Bashkimit Europian se ata duhet të përmbushin deficitin e tyre jahstëzakonisht të madh me Shtetet e Bashkuara me blerje të përmasave masive të naftës dhe gazit tonë. Përndryshe, TARIFAT i keni rrugës!!!”

Ekonomistët thonë se luftërat tregtare përgjithësisht i dëmtojnë të gjitha palët e përfshira, duke prekur shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve, dhe duke reduktuar rritjen ekonomike. Por dobësia e ekonomisë së Europës prej fillimit të pandemisë – dhe trazirat e mundshme politike – do të mund ta cenonin veçanërisht tani.

Në fushatën e sivjetme presidenciale, Trumpi ka deklaruar se do të vendoste një taksë të re prej 10 ose 20 për qind për të gjitha importet që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht vendit të prejardhjes. Bashkë me kërcënimet e mjegullta të së premtes për ta pasur cak Europën, ai prej zgjedhjes ka pasur paralajmërime të drejtpërdrejta për Meksikën, Kanadanë, Kinën dhe shume vende të tjera me tregje në rritje.

Çfarëdo tarife e tillë do të rrezikonte çfarë efektivisht është marrëdhënia më e madhe tregtare edhe për Shtetet e Bashkuara, edhe për Bashkimin Europian, që ka tregtuar më shumë se 1.5 bilionë dollarë mallra dhe shërbime më 2023.

Droja nga pasojat e përplasjes SHBA-Kinë

Vjet, Shtetet e Bashkuara kishin deficit tregtar me Europën, duke importuar pak më shumë nga vendet sesa kishte eksportuar te to. Europa tashmë është blerësja më e madhe gazit të lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara, që është furnizuesja më e madhe në botë.

Gjatë administratës së parë, Trumpi vendosi tarifa për çelikun dhe aluminin nga vendet europiane, duke u zotuar të reduktonte deficitin tregtar. Në vend të kësaj, u rrit boshllëku.

Derisa Trumpi kërcënon me tarifa të reja anembanë botën, shefat ekzekutivë dhe liderët politikë në mbarë Europën shqetësohen gjithashtu për efektet e dridhjeve të pastajme të çfarëdo përshkallëzimi në tensionet tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Kjo do të mund të kishte ndikim te eksportet me çmim të ulët nga depot amerikane që destinim kanë Europën.

Zyrtarët në Bruksel dhe në parlamentet kombëtare kanë nisur të diskutojnë hakmarrjen e mundshme ose t’i ndryshojnë strategjitë që nuk përfshijnë taksimin e amerikanëve.

Përpjekja e hershme brenda Komisionit Europian, krahut ekzekutiv të Bashkimit Europian, përfshin analizat se çfarë ndikimi do të mund të kishin tarifa të caktuara në vende dhe sektorë të ndryshëm europianë, ka thënë një diplomat i lartë europian në kushte anonimiteti, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e çështjes. Grupi po diskuton çfarë produkte amerikane do të mund të ishin cak tarifash si shenjë e hakmarrjes.

Por diskutimet janë preliminare, sikur se edhe përgatitjet e ngjashme në Berlin dhe kudo gjetiu. Kjo po ndodh kryesisht për shkak se ende janë të paqarta planet e Trumpit.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com